Samiti i OBSH, skaner për krizën e strukturave globale

5 Minuta Lexim

Strukturat ndërkombëtare të rendit global po humbasin kapacitetin unitar për vendimmarrje dhe qëndrime mbi çështjet dhe krizat ndërkombëtare. Mund të thuhet se tashmë kriza strukturore e tyre është, në thelb, një krizë e vlerave funksionuese të këtyre institucioneve.

Përballë kësaj gjendjeje në përkeqësim të strukturës së trashëguar ndërkombëtare, realiteti multipolar po sendërton nisma dhe struktura të reja organizmash, samitesh dhe programesh. Kërkimi i rezultanteve të reja gjeopolitike është në pikun e vet. Në këtë fokus media evropiane dhe ajo ndërkontinentale po e sheh edhe samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH), i cili zhvillohet në ditën e fundit të gushtit dhe ditën e parë të shtatorit, në qytetin portual Tianjin të Kinës Veriore.

Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait zhvillohet në ditën e fundit në qytetin portual të Tianjin të Kinës veriore/Foto nga VCG

Prania e shumë udhëheqësve nga Azia Qendrore, Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Juglindore, diplomatikisht lexohet si një shtesë ndikimi dhe bashkëpërfshirjesh në nismat e organizatës. Nuk mbetet jashtë këtij konteksti edhe pjesëmarrja e kryeministrit indian Narendra Modi, e cila vjen pas më shumë se shtatë vitesh, duke shënuar kapërcimin e tensioneve që kulmuan në vitin 2020 mes Indisë dhe Kinës.

Qyteti portual Tianjin i Kinës veriore/Foto nga VCG

Fakti që fusha e veprimit të OBSH është zgjeruar në sektorë të sigurisë, antiterrorizmit dhe në fushat e bashkëpunimit ekonomik e ushtarak, dëshmon qartë se vlera si strukturë me ndikim ndërkombëtar është projektuar për më shumë qasje dhe për shtim numerik të vendeve pjesëmarrëse. Gatishmëria e vendeve për t’u përfshirë në këtë organizatë kapitalizon në njëfarë forme imazhin e një solidariteti të shtuar në kohën e politikave të çrregullta dhe të gjeopolitikës në ndryshim. Njëzet e katër vitet e funksionimit të OBSH e kanë potencuar imazhin e saj si një mekanizëm rishtar për ndikim global. Mbi të gjitha, nëse kemi parasysh sensin numerik, vendet e përfshira në këtë strukturë përfaqësojnë thuajse gjysmën e popullsisë globale.

Pamja e natës e qytetit Tianjin të Kinës veriore./Foto nga VCG

Samiti i fundjavës synon mishërimin e kuptimit praktik të OBSH, ku vendet anëtare investojnë në një qasje reciprociteti, duke pranuar se rrugë të ndryshme zhvillimi janë të vlefshme. Me rëndësi, nisma synon të kapërcejë një ndër pengesat më të mëdha: mungesën e lidhjes së mirë fizike mes vendeve anëtare të OBSH.

Një kopsht lulesh me tematikë që përkujton 80-vjetorin e fitores në Luftën e Rezistencës së Popullit Kinez Kundër Agresionit Japonez dhe Luftën Botërore Antifashiste në Pekin, Kinë, 25 gusht 2025./Foto nga VCG

Prania në këtë samit e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, është pjesë e një PR politik që grupimi e çmon dhe e sheh si një raport në sferën ndikuese gjeopolitike. Deklaratat e pritshme prej këtij samiti, sikundër është ajo për 80-vjetorin e Fitores Antifashiste, për themelimin e OKB-së, për strategjinë e dhjetë viteve të ardhshme, si dhe për forcimin e rolit të kësaj organizate, do të nxisin padyshim reagime dhe analiza të gjera.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres/Foto nga VCG

BE-ja, megjithëse ka qenë më e nuancuar dhe e balancuar ndaj kësaj nisme, në rastin e samitit pritet të ripohojë atë që, në kuadër të përvjetorit të 50-të të marrëdhënieve BE–Kinë, Presidentja Ursula von der Leyen e theksoi si një qasje konsoliduese për bashkëpunim fitimprurës (win-win), duke ruajtur njëkohësisht vetëdijen për rivalitetet në disa fusha. Natyrisht, samiti nuk i shmang tensionet e theksuara mbi çështjet tregtare, ato të teknologjisë dhe luftës në Ukrainë. Përfaqësuesit e BE-së, si Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas, kanë nënvizuar nevojën për partneritete strategjike në Azi, duke shmangur varësitë.

Në tërësinë e tij, gjasat janë që samiti i OBSH të jetë prodhues i mjaftueshëm lajmesh dhe kumtesh të rëndësishme. Në kuadër të realitetit multipolar që qartësohet gjithmonë e më shumë në sistemin global politik, shënon një moment që duhet parë me vëmendje, jo vetëm për ligjëratat politike të ditës, por për aspiratën dhe aftësinë për të konkretizuar një tjetër stad bashkëpunimi afatgjatë të vendeve pjesëmarrëse.

Aleksandër Çipa

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull