SPAK do të hetojë vrasjen e Renis Dobrës

2 Minuta Lexim

Gjatë ditës së sotme, 20 shtator, Gjykata e Dibrës ka shpallur moskompetencë për çështjen e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra dhe ka kaluar dosjen në SPAK për hetime të mëtejshme.

Më parë, gjykata kishte caktuar “arrest në burg” për dy vëllezërit, të dyshuar si autorë të ngjarjes, ndërsa janë arrestuar dhe dy të tjerë. Të katër të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar si një grup kriminal, raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar të gjitha detajet e ngjarjes dhe lidhjet e të dyshuarve me aktivitetet kriminale.

Kujtojmë se dy vëllezërit K.B dhe A.B u arrestuan dje, 19 shtator, në një apartament në Tiranë.

Ata ishin shpallur në kërkim bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se dy të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, shtetasin F. B., dhe me shtetasin P. H. alias P. C., 55 vjeç kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng 23 vjeçarin, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet.

Ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e 9 korrikut 2025 nga ana e policisë.

Pavarësisht kundërshtive edhe në seancën gjyqësore, policia dhe prokuroria e Dibrës janë thuajse të bindura se të arrestuarit janë autorët e ngjarjes. Dyshimi i hetuesve mbështetet në pamjet filmike që tregojnë katër autorët në qytetin e Burrelit, si dhe në verifikimet e automjeteve të përdorura gjatë krimit.

Renis Dobra ishte kthyer së fundi nga Gjermania, ku ishte deportuar pas arrestimit si pjesë e një grupi kriminal që shpërndante drogë. Pikërisht nga ky aktivitet policia dyshon se viktima kishte pasur konflikte me katër autorët.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull