Në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha se Shqipëria është tashmë në një fazë të re falë reformës në drejtësi e cila sipas tij ka ende nevojë të konsolidohet.
“Shqipëria ka kryer reformën më ambicioze, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, Reformën në Drejtësi. Sot Shqipëria nuk është ajo e 16 viteve më parë. Kurrë s’kemi qenë kaq pranë Bashkimit Europian. Konsolidimi i mëtejshëm i Reformës në Drejtësi dhe përafrimi i korpusit tonë ligjor me atë europian, janë mes prioriteteve të Programit tonë Qeverisës 2025-2029 dhe të miave si Ministër i Drejtësisë”, tha Lamallari.
Teksa evokoi kohën kur edhe ishte një student i Fakultetit të Drejtësisë, Lamallari iu bëri thirrje studentëve të sapodiplomuar të japin kontributin e tyre si juristë e profesionistë të rinj.
“Kjo punë nuk bëhet vetëm e as është “one man show”, prandaj ju ftoj të gjithëve t’i bashkëngjiteni kësaj përpjekje të qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për t’i shërbyer vendit me integritet dhe profesionalizëm”, deklaroi Ministri i Drejtësisë në fjalën e tij.
Më tej ai përmendi edhe punën e madhe që është përpara për Kodin e ri Penal e Kodin Civil.
“Bashkë me Kodin i ri Penal dhe Kodi Civil që do të miratojmë si dy shtylla të rëndësishme të korpusit ligjor, Shqipëria do të ketë më në fund një legjislacion modern të orientuar fuqimisht nga standardet evropiane”, tha Lamallari duke kërkuar nga të rinjtë e sapodiplomuar që t’i shërbeni ligjit, pa frikë dhe pa asnjë kompromis.