55% e shqiptarëve kanë vështirësi të mbyllin muajin, por.. në Europë na e kalojnë grekët

4 Minuta Lexim

Kur pyeten shqiptarët se “Sa të lehtë e keni që të përballoni fundin e muajit”, rreth 55% e tyre përgjigjen me “me shumë vështirësi” ose “me vështirësi”. Kjo shifër është shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian, ku vetëm 17.4% e europianëve ndihen të varfër.

Në rajon, të varfër ndihen 34% e serbëve, gjysma e malazezëve dhe gati gjysma e maqedonasve.

Eurostat mat dhe varfërinë subjektive, që është një fushë e re studimi, e krijuar për të plotësuar treguesit tradicionalë të varfërisë, si p.sh. rreziku për të qenë i varfër, mungesa e rëndë materiale dhe sociale, apo jetesa në familje ku pothuajse askush nuk është i punësuar.

Ky është një tregues që mat perceptimin personal të njerëzve mbi aftësinë për të përballuar shpenzimet e përditshme, ndryshe nga varfëria relative që matet në bazë të të ardhurave. Pyetja mbi të cilën bazohet anketa është: “Sa e keni të lehtë ta përballoni fundin e muajit?”

Ndryshe nga treguesit relativë të varfërisë – që llogariten në bazë të të ardhurave mesatare të familjeve në një vend – treguesi i varfërisë subjektive mat perceptimin e vetë të anketuarve mbi vështirësinë për të përballuar shpenzimet e përditshme.

 Vlerësimi merr parasysh gjendjen materiale të familjes, përfshirë të ardhurat, shpenzimet, borxhet dhe pasuritë. Të anketuarit kanë 6 mundësi zgjedhjeje: Me shumë vështirësi; Me vështirësi; Disi vështirësi; Mjaft lehtë; Lehtë; Shumë lehtë. Sipas përkufizimit të Eurostat-it, familjet që përgjigjen “me shumë vështirësi” ose “me vështirësi” konsiderohen si pjesë e varfërisë subjektive.

Shqiptarët renditen të dytët në Europë në konceptin e varfërisë subjektive. A e dini se cilët banorë mendojnë që janë më të varfër? Ata janë fqinjët tanë grekët. 67% e grekëve e perceptojnë që janë të varfër, rekord në Europë.

Megjithatë Shqipëria ka diferencë të lartë mes nivelit të varfërisë monetare të matjeve zyrtare, që është rreth 20% në 2024-n, dhe perceptimit të banorëve që mendojnë se janë të varfër, që i kalon 50%, me një diferencë prej mbi 30 pikë përqindje.

INSTAT raportoi më herët se në vitin 2024, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, është 19,2 %, duke pësuar një rënie prej 0,6 pikë përqindje, krahasuar me të dhënat e rivlerësuara për vitin 2023. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2024 është vlerësuar me 324.336 lekë, në krahasim me 262.325 Lekë që ishte në vitin 2023.

Perceptimi i varfërisë nga shqiptarët afrohet më shumë me treguesin e varfërisë dhe përjashtimit social, që përfshin 40.5% të popullsisë, sipas të dhënave që u publikuan së fundmi nga INSTAT.

Kjo do të thotë se 40.5% e popullsisë plotësojnë të paktën një nga këto tre kritere:

-Janë në rrezit të varfërisë monetare – të ardhurat e një personi janë më të ulëta se 60% e mesatares kombëtare.

-Kanë mungesa materiale ose sociale të rënda – personi nuk ka mundësi të përballojë shpenzime bazë si ngrohja, pagesa e faturave, blerja e ushqimit, rrobave, pushimeve etj.

-Jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët pune – kur të rriturit në një familje punojnë shumë pak ose aspak gjatë vitit. (Monitor)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull