A i njohin ndërkombëtarët kushtet e veçanta shqiptare?

10 Minuta Lexim

Nga Ervin Lera

Po e nis nga fundi, edhe pse teorikisht është e papranueshme që të ndodhë kështu.

Jo, ndërkombëtarët duan një Shqipëri Europiane, duan – atë që j’u kemi dhënë deri më tani, përulësinë e një kombi të vogël që ul kokën – bindjen përballë presionit të anëtarësimit. Dhe, e gjitha kjo vjen nga dogma propagandistike – e cila tejkalon çdo tipar dhe të veçantë kombëtare, krenarinë, të detyruar (imponuar në gjuhën e sotme mediatiko-propogandistike) për hir të anëtarësimit në BE), e qëllimit të vetëm qeverisës të këtyre 12-20 viteve të fundit, përfshi edhe 4 vite në vijim më pas.

I detyruar/urdhëruar, isha pjesë i një forumi të OSBE, për RTSH, ose e thënë në gjuhën e duhur të shprehur, Transmetuesin Publik RadioTeleviziv. Prezantimi i takimit, nisi me një pasqyrim të gjendjes së pavarësisë institucionale të mediave publike në Europë, dhe, referuesja e futi veten në grackë (ndjesë nëse gaboj me emrin e zonjës nga Bullgaria që përfaqësonte OSBE, Beçeva). Zonja solli shembuj nga Transmetues homologë të RTSH, nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, Çekia, Bulgaria dhe Serbia. Sipas perceptimit tim, për hir të krenarisë së origjinës sllave, zonja e nderuar, lavdëroi vetëm shembullin serb të përzgjedhjes së Këshillit Drejtues të medias publike RadioTelevizive, sepse përzgjedhjen e anëtarëve e kishte bërë enti rregullator i mbikëqyrjes së mediave – e thënë në shqip, përzgjedhjen e kishte bërë AMA sipas shembullit shqiptar. Por, – pavarësisht shembullit sllav sipas interesit të origjinës – problemi i zonjës – ashtu si është edhe problemi i organizmave ndërkombëtarë që mbikëqyrin dhe vlerësojnë Shqipërinë në ecurinë drejt anëtarësimit në BE – është se lupa me të cilën shohin problemet e Shqipërisë në konsolidimin e demokracisë, është me efekt përkeqësues shumë më të madh se sa me atë që shohin në të vërtetë dhe në vende të tjera me demokraci të konsoliduar apo në zhvillim. Një shembull i problemit të përzgjedhjes së drejtuesve – përkufizuesve të politikave editoriale, argëtuese, informuese dhe edukuese – është edhe RAI, që prej një viti nuk mundet ose më në fund në rastin më të mirë, të zgjedhë Drejtorin e Përgjithshëm prej debatit dhe padakortësisë sipas interesave politikë. Pra, kjo përbën pamundësinë e pavarësisë institucionale të medias publike në një vend demokratik, madje, pa ndrojtje e them se mënyra më e saktë e përzgjedhjes së drejtuesit/drejtuesve dhe përcaktimit të detyrueshëm të politikave editoriale të medias publike të një vendi është, modeli diktatorial. Dhe, që t’ju kursej komentuesve komentet për këtë të fundit, po ju kujtoj se bindja ndaj ligjit është bindja ndaj kriterit diktatorial të demokracisë, sepse ligji është elementi përcaktues dhe përkufizues diktatorial i demokracisë. Një shtet mbahet në këmbë dhe mbizotëron ligjërisht nëpërmjet diktaturës, pavarësisht formës së shprehjes së kësaj diktature, demokratike apo bolshevike.

Në panelin e forumit, ishte edhe një kontraktor nga shoqëria civile shqiptare që duhej të raportonte për problematikat organizative dhe funksionale të RTSH, e cila u shpreh e shqetësuar për hapjen apo mbylljen e disa kanaleve, angazhimin apo indiferencën e fuqisë punëtore të gazetarëve të lajmit në RTSH, dhe, që kishte si qëllim të mirë ndarjen dhe pavarësinë politike të RTSH, qoftë nga pushteti apo edhe nga opozitaristët e pushtetit. Jo zonjë, nuk mundet kapacitetet intelektuale të heshtura të RTSH të pranojnë dogmat tuaja propogandistike për një media publike të pavarur institucionalisht pa siguruar pavarësinë financiare. Si arrihet kjo? Bëjini e nderuar zonjë si duhet detyrat tuaja të shtëpisë për pagesën që keni siguruar nga OSBE për mbikëqyrjen dhe propozimet e duhura për një media publike si duhet dhe për çfarë duhet, dhe mos bëni raportime teorike të parealizueshme as në demokraci të konsoliduara; mos nxirrni si pretendim mbylljen e tre apo më shumë kanaleve për të justifikuar paratë që j’u paguan OSBE për të bërë më shumë se kaq; mos bëni thirrje për organizimin sindikal të RTSH me qëllim përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve të RTSH – një media, çfarëdo statusi pastë, publike apo private, kombëtare apo jo, lokale apo të çdo lloji tjetër të emërtesës së vet – nuk ka vetëm lajmin dhe gazetarët si qëllim burim njerëzor. Ka edhe krijimtari, ka edhe realizim, ka edhe organizim, ka edhe prodhim, ka edhe administrim, ka edhe shumë sektorë të tjerë që ju nuk i njihni, nuk i dini dhe nuk i perceptoni dot sepse ju bëni vetëm raportimin dogmatik sipas udhëzimeve të OSBE, ose pagueses së faturave që ju paraqisni për t’u shpërblyer për asgjënë që jepni në shërbim të Transmetuesit Publim RadioTeleviziv Shqiptar. Mos i jepni të drejtën e pavërtetë vetes të kërkoni organizim sindikal në RTSH, për të vërtetuar dështimin e një praktike aspak tradicionale dhe aspak funksionale në historinë e Shqipërisë. Shqiptarët janë shumë të varfër që të përballin parimet me nevojën, për këtë qrsye nuk ka asnjë undësi të organizimit të vërtetë sindikl në Shqipëri, aq më pak në RTSH, ku – unë një prej tyre – shumica janë punësuar falë njohjeve apo miqësive të veta dhe familjare.

Në panel ishte edhe një zotëri, një figurë mediatike, që gjoja u kamuflua pas një aplikacioni për të thënë se një ish drejtor i përgjitshëm i RTSH, ishte më i miri i mundshëm historikisht në RTSH. Zoti … në kohën që ju keni patur mundësi dhe pushtet në RTSH, ai zotëria drejtor ka qenë më i miri i mundshëm drejtor vetëm për ju dhe disa shumë pak të tjerë, por sot, RTSH, vuan dhimbjet e plagëve të gjakosura të organizimit të bërë nga ai drejtor që pavarësisht se e dinte shumë mirë se nuk mund të kishte jetëgjatësi më shumë se një mandat drejtues, dhe pikërisht se e injoroi këtë fakt, përfundoi padrejtësisht edhe në privim të lirisë. Ju zoti mbikëqyrës gjoja i pavarur, dhe po ja u them pa asnjë ndrojtje, mos bëni më perëndinë e pavarësisë institucionale të RTSH, mos pretendoni për gjenialitet televiziv apo edhe mediatik qoftë, sepse, përveç që nuk ka asnjë akademi televizive që të kultivojë dhe të rrisë gjeni televizivë dhe mediatikë, nuk ka asnjë gjeni televiziv dhe mediatik në asnjë vend të botës. Hiqeni nga mendja zotëri, idenë dhe mendimin nëse duhet të mbyllet apo jo RTSH, qoftë edhe përkohësisht, sepse kjo do të ishte goditje edhe për demokracinë, edhe për kriterin diktatorial të demokracisë – ligjin – dhe pa këto nuk ka media të pavarura sipas logjikës demokratike të lirisë dhe të drejtës së shprehjes. Lërini majmunët e mendimit tuaj mediatik të zvarriten në palmat e imagjinatës tuaj mediatike demokratike, merrni atë shpërblimin e premtuar nga OSBE, dhe na lejoni ne të tjerëve, ose pa pikën e modestisë, mua, të përballem me të vërtetën e asaj që i duhet RTSH.

Në panel ishte edhe zonja Vasili, për të cilën për arsye të konfliktit të interesit – nga java e tretë e tretë e dhjetorit, me organizimin dhe realizimin e Festivalit të Këngës në RTSH, fillon vlerësimi i vërtetë për zonjën Vasili dhe zgjat deri në qershor-korrik të vitit të ardhshëm për të parë se sa dhe si është vërtetë e angazhuar për të bërë një RTSH më të mirë dhe më të zhvilluar – nuk mund të them asgjë përveç që rrethi i njerëzve me aftësi për të zhvilluar RTSH, nuk mbyllet në 4, 5 po 6 emra të përveçëm. Çdo zë, emër, profesion apo kapacitet akademik dhe profesional, është shumë i vlefshëm për t’u dëgjuar, sepse edhe ata që gabojnë janë një kontribut i pashlyer për të çuar përpara RTSH.

Krahasimi i RTSH, me media të tjera paralele – jo homologe – e theksoj fort se është praktika dhe vlerësimi më i gabuar i mundshëm. Thelbi organizativ i secilës media në botë dhe Shqipëri, statusi juridik përfaqësues në publik dhe organizma vlerësues, tatues dhe ligjorë, e ndan pa mëshirë RTSH me çdo organ tjetër paralel – jo homolog – sepse RTSH nuk i lejohet të bëjë fitim, kursim apo investim përtej kapaciteteve ekonomikë të parashikuar në statut. Ka apo nuk ka para RTSH, jam i mendimit se duhet korrigjuar shprehja dhe justifikimi se nuk ka me ku janë…

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull