Në fund të seancës plenare të djeshme, pas përfundimit të votimit, disa deputetë kanë marrë fjalën për çështje jashtë rendit të ditës.
Mes tyre, për herë të parë në foltoren e Kuvendit ka folur edhe Arjan Ndoja, i cili, mesa duket, ka shfrytëzuar fjalimin e parë në Kuvend për të shigjetuar aksionet që përfundojnë me kaos të kolegëve të tij të PD, Flamur Noka e Gazment Bardhi.
Në këtë fjalim që kaloi pa u vënë re, për shkak të deklaratave që ndërkohë mbaheshin në oborrin e Kuvendit, ai ka thënë se vetë nuk do t’i bjerë asnjëherë tavolinave dhe se nuk vjen me skenar me regji në parlament, pasi vjen nga lista e hapur.
“Është hera e parë që dal në këtë foltore, dhe në radhë të parë dua të falenderoj të gjithë ata që më kanë votuar. Së dyti, jam përpjekur gjatë gjithë jetës sime ta ndërtoj rrugëtimin bazuar në punë, respekt dhe dinjitet. Falenderoj në mënyrë të veçantë deputetët që janë këtu nga Partia Socialiste, që janë ende pjesë e kësaj seance, bashkë me 11-shen tonë, por që nuk plotësojmë kuorumin që të zhvillohet seanca.
Kërkesa që bëjnë deputetët e PD ka të bëjë me faktin që ky Kuvend ka detyrimin që të zhvillojë seancat plenare në mënyrë sa më të rregullt, në përputhje me Kushtetutën dhe me Rregulloren. Nga seanca e parë e deri më sot kam parë një varg shkeljesh dhe parregullsish të cilat nuk më duken normale. Unë e kam thënë mendimin tim, që në Kuvend të kthehet normaliteti, ku njerëzit të kuvendojnë, të flasin.
Rolin kryesor e ka drejtuesi i seancës, kryetari, nënkryetarja. Nuk po gjendet vullneti për të zbatuar rregulloren. Jo vetëm unë, por edhe një pjesë e madhe e grupit parlamentar të PD duan që të flasin dhe të kontribuojnë me mendimin e tyre kundër ose pro.
Me qenë realist, unë e di që është prishur godina e Teatrit Kombëtar, por shoh batuta, sjellje komike që këtij Parlamenti nuk i shkojnë përshtat. Unë e quaj vend të shenjtë që i shërben qytetarëve.
Kam dy çështje për të diskutuar që i përkasin zgjedhësve të mi. Po shpronësohen disa banesa. Banorët duan dëgjesë publike. Problemi i dytë është për banorët e lagjes 17 në Durrës. Sa herë bie shi, për shkak të problemeve të kanalizimeve, ata përmbyten.
Është detyrim i qeverisjes vendore dhe qendrore për ndërhyrje të menjëhershme, sepse atyre u shkaktohen dëme të pariparueshme dhe akoma nuk kanë marrë kompensime.
Ju bëj thirrje edhe njëherë: mua as më keni parë, as s’di më shihni duke i rënë tavolinave, sepse nuk e kam atë edukatë, nuk e kam atë formim, por nga ana tjetër ju bëj thirrje edhe ty personalisht, zoti Balla, mos na etiketo të gjithë grupin parlamentar, se një pjesë e grupit, që është pjesa më e madhe, duan të zhvillohet seanca parlamentare dhe duan që të flasin. Nuk e meriton grupi parlamentar i PD, aq më tepër që një pjesë prej nesh nuk janë as produkt i listave të mbyllura që të vijnë me kokën ulur këtu dhe të bëjnë veprime me regji.
Zoti Peleshi, thirrje miqësore: të respektojmë Kuvendin dhe të rikthejmë normalitetin. Njerëzit duan të dëgjojnë. Ligji për mbetjet ka problem juridik, nuk mund të kalohej vetëm në votim,” – tha Ndoja ndër të tjera.
Ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja është shkarkuar nga KPK më 6 maj 2022, pasi kishte lidhje me njerëz të botës së krimit dhe probleme nga ana profesionale. Prokurori i Durrësit u shkarkua me vota unanime, ndërsa e ankimoi atëkohë deri në tërheqjen së fundmi për shkak të përfshirjes në politikë, pranë Berishës dhe PD-së.