Babai i britanikes që vdiq gjatë pushimeve në Shqipëri: Vajza ime vdiq në duart e një gangsteri shqiptar, banda e tij më theu brinjët

9 Minuta Lexim

Nga Grace Macaskill, The Sun

Kur George Gannon u njoftua se vajza e tij, Beccie, kishte vdekur në një tragjedi të tmerrshme gjatë pushimeve në Shqipëri, ai la gjithçka dhe mori fluturimin e parë për atje.

Por kërkimi i tij për të vërtetën i ka kushtuar pothuajse gjithçka. Babai i pikëlluar ka shpenzuar rreth 90.000 sterlina duke pritur për përgjigje, martesa e tij po shkatërrohet, dhe sot ai thotë se madje është rrahur nga njerëz të lidhur me banditin që kishte organizuar udhëtimin fatal të vajzës së tij.

Ai pretendon se mbeti me brinjë të thyera pasi miqtë e pronarit të kompanisë së varkave, Saimir Kushova, e sulmuan sapo doli nga një restorant – dhe e kërcënuan se do ta vrisnin nëse nuk largohej nga vendi.

Këtë javë, familja e Beccie-s u përball me një tjetër goditje, pasi gjyqi kundër mashtruesit u shty për të gjashtën herë brenda 12 muajve.

George – i cili beson (në pretendime ende të paprovuara) se vajza e tij vdiq për shkak të gabimeve të Kushovës – tha: “Nuk do të dorëzohem kurrë – asnjëherë. S’më intereson çfarë më ndodh mua. Asgjë s’mund të më lëndojë më shumë se vdekja e Beccie”.

“Nuk mund të filloj të vajtoj derisa të marr drejtësi për të. Nuk kam derdhur asnjë lot ende – duhet që kjo çështje të mbyllet, që të mund të vajtoj siç duhet”.

Beccie, 29 vjeçe, vdiq gjatë një ekspedite zhytjeje me të dashurin e saj, Robert Kerans, kur zbriti në ujërat e Gjirit të Sarandës për të parë një anije të mbytur, në shtator të vitit 2022.

Ajo kishte bërë zhytje në mbarë botën dhe zgjodhi të rezervonte një udhëtim të organizuar nga Kushova, sepse ai ishte mburrur duke mashtruar se kompania e tij ishte e vetmja e miratuar nga qeveria shqiptare.

Brenda pak minutash pasi hipën në bord, si Rebecca ashtu edhe Robert u bënë dyshues, duke vënë në pikëpyetje gjendjen e keqe të pajisjeve — me jelekë shpëtimi të vjetër dhe bombola oksigjeni gjysmë bosh.

Prindërit e saj, George, 64 vjeç, dhe Gillian, 63 vjeçe, nga Stone, Staffordshire, u njoftuan për vdekjen e vajzës së tyre kur dikush trokiti në derë ndërsa ata po shikonin funeralin e Mbretëreshës Elizabeth.

George fluturoi menjëherë drejt Shqipërisë, ku për më shumë se një vit iu lut prokurorëve që të arrestonin Kushovën.

Policia më në fund e mori në pyetje, por kur gjykata e liroi me kusht, Kushova u arratis nga vendi.

Lajmi i radhës që mori George ishte se Kushova ishte dënuar me 15 vjet burg në Norvegji për akuza të lidhura me drogën.

Ai ishte pjesë e një bande prej gjashtë vetash, të arrestuar në Husnes në vitin 2023, të cilët kishin tentuar të merrnin 150 kg kokainë nga një anije braziliane në brigjet e Norvegjisë.

Grupi po zhytej për të rikuperuar drogën e hedhur nga anija.

George tha: “Kur shkova për herë të parë në Shqipëri pas vdekjes së Beccie, e shihja këtë njeri përreth kafeneve, ulur e duke qeshur me miqtë e tij. Policia shqiptare më thoshte vazhdimisht të largohesha, sepse mendonin se kisha ardhur për ta vrarë. U thashë atyre se drejtësia në Britani nuk funksionon kështu dhe se unë doja të kisha ditën time në gjyq. Nuk mund ta besoj që ai u la i lirë me kusht. Thjesht nuk shkoi as për t’u paraqitur në polici dhe u largua nga vendi. Pastaj morëm vesh që ishte dënuar në Norvegji. Mënyra si jemi trajtuar është e tmerrshme”.

Kocka të thyera

George thotë se është sulmuar tre herë nga persona të lidhur me Kushovën dhe me qendrën e tij “Spiranca Diving Centre”.

Ai tregoi: “Herën e parë sapo kisha dalë nga një restorant dhe tre burra po rrinin aty afër. Më rrëzuan në tokë dhe filluan të më godisnin me grushte e shqelma. Nuk e kuptoja çfarë po thoshin sepse nuk flas gjuhën, por dikush aty pranë që dinte anglisht më tha se ata kishin thënë që ishin miq të Kushovës dhe më paralajmëruan të largohesha nga vendi, përndryshe do të më vrisnin. Kam pasur nofull të thyer dhe brinjë të thyera, por refuzoj të largohem derisa ta shoh atë në burg për atë që ndodhi me vajzën time”.

George kaloi dy vjet duke jetuar në vendpushimin bregdetar të Sarandës, ku vdiq Beccie, dhe u kthye në shtëpi Krishtlindjen e kaluar, përpara se të thirrej sërish për një sërë seancash gjyqësore që janë shtyrë vazhdimisht.

Ai thotë se vdekja e vajzës së tij ka vënë një barrë të madhe mbi martesën e tyre dhe familja është detyruar të mbyllë furrën e bukës që zotëronin, sepse bashkëshortja e tij nuk arrinte të përballonte gjithçka vetëm.

“Nuk ka qenë e lehtë për mua dhe Gillian, sepse unë jam gjithmonë këtu dhe ne po përjetojmë dhimbjen në mënyra të ndryshme,” thotë George.

“Jemi ende bashkë, por e kemi të vështirë të flasim për atë që ka ndodhur, dhe unë ndiej se s’mund të dorëzohem. Kemi shpenzuar rreth 90.000 sterlina për jetesën time këtu dhe për fluturimet vajtje-ardhje, dhe kemi humbur biznesin tonë. Vajza ime vdiq dhe duket sikur askujt s’i intereson. Nuk është shaka. Po flasim për një qytetare britanike që erdhi në Shqipëri për pushime dhe nuk u kthye kurrë, ndërsa i akuzuari po jeton rehat në një burg në Norvegji për një tjetër krim të rëndë.

Jam duke e përfaqësuar vetë veten në gjyq, sepse nuk kemi më mundësi të paguajmë një avokat. Nuk e di sa më shumë mund të duroj me gjithë këto shtyrje. Këtë herë, seanca u shty sepse Kushova kishte dy avokatë dhe njëri prej tyre nuk mundi të vinte – dhe unë s’u njoftova për këtë para se të fluturoja përsëri këtu. Ku është drejtësia në gjithë këtë? A mund të më shpjegojë dikush? Nuk po arrij ta kuptoj.”

Dështimi i shpëtimit

Beccie, e cila kishte marrë pjesë në ekspedita zhytjeje në mbarë botën, ishte mësuar të zbriste deri në 30 metra thellësi, por në momentin kur u mbyt, ndodhej vetëm shtatë metra nën ujë.

I dashuri i saj, i cili kishte dalë nga uji për shkak të problemeve me veshët, tregoi se ajo ishte ngjitur në sipërfaqe “në panik dhe duke kërkuar ndihmë”, pak çaste përpara se të vdiste.

Dëshmitarët thanë se Kushova u hodh në ujë për të provuar ta shpëtonte Beccie-n, bashkë me anëtarë të tjerë të grupit. Ata u përpoqën me dëshpërim t’i jepnin frymëmarrje artificiale, ndërsa Roberti i shikonte pa mundur të bënte asgjë.

Kushova është akuzuar për shkelje të rregullave të sigurisë dhe për punësimin e një instruktori të pa kualifikuar për zhytje.

Familja thotë se është caktuar një datë e re për gjyqin muajin e ardhshëm.

George është ndihmuar në betejën e tij për drejtësi nga gazetari shqiptar Muhamed Veliu, i cili ka kërkuar përgjigje nga prokurorët.

Ai tha: “George hasi shumë dyer të mbyllura. Shkoi disa herë në zyrën e prokurorit për të kërkuar një përditësim mbi hetimet, por askush nuk i përgjigjej. Përdora një kërkesë për informacion publik për të marrë disa përgjigje. Në shtator të vitit të kaluar arrita t’i tregoj George-it se prokurorët i kishin kërkuar gjykatës edhe gjashtë muaj shtesë për të vazhduar hetimin. Ishte një moment lehtësimi i vogël për George, të cilin e takova për herë të parë në Tiranë vitin e kaluar, kur solli pak nga hiri i Beccie-s dhe i vendosi mbi tavolinë”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull