Belinda Balluku merret e pandehur nga SPAK.
Dy orë para lajmit se Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, Gazment Bardhi paralajmëroi publikisht se çështjet ndaj saj “me dhjetëra” po i afroheshin fazave vendimtare. Ai e cilësoi Ballukun “zyrtaren më të korruptuar në 35 vite”, duke listuar gjurmë korrupsioni në energji e infrastrukturë – nga Tuneli i Llogarasë te Aeroporti i Vlorës dhe tha se një nga dosjet tashmë “ka marrë rrugë zyrtare”.
Bardhi ngriti edhe alarmin për presione politike e mediatike mbi prokurorin e posaçëm Dritan Premçi, madje edhe nga eksponentë të krimit të organizuar. Ai adresoi pesë pyetje për SPAK: nëse Balluku do të thirrej si e pandehur; nëse ka pasur ndërhyrje nga Edi Rama; nëse aktivitetet ndërkombëtare të ministres po përdoren për të shmangur paraqitjen; si po garantohet pavarësia e hetimit; dhe çfarë mbështetjeje po i jep drejtueshmëria e SPAK prokurorit të çështjes.

