Berisha në Strasburg: Edi Rama po na përgjon internetin

3 Minuta Lexim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij para grupit të PPE-së në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, deklaroi se rreziku më i madh ekzistencial për shqiptarët është droga dhe shndërrimi i vendit në një shtet narkotik. Por po ashtu ai u shpreh se qeveria ka instaluar një sistem të thellë përgjimi të internetit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se në Parlament janë shkelur hapur Kushtetuta dhe rregullat, pasi programi i qeverisë u votua në vetëm 28 minuta pa debat.

“Zoti President, qeveria e re dhe programi i saj, programi katërvjeçar, u votuan për 28 minuta. 28 minuta. Mbi bazën e një skenari të përgatitur mirë. Duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur gjithashtu edhe rregullat e Parlamentit. Ata votuan me urdhër të Kryeministrit në sallë. Votuan për 28 minuta. Ky ishte debati. Kur ne, si opozitë, kërkuam të vihej një mocion për debat mbi programin e qeverisë, u refuzua. Të drejtat kushtetuese dhe të drejtat që burojnë nga rregullat e Parlamentit të deputetëve nuk respektohen aspak.“,

Po ashtu ai shtoi se qeveria ka ngritur një sistem përgjimi dhe censure, ndërsa kryeministri Edi Rama sipas tij sillet si “emir” që shkarkon kryebashkiakë sipas dëshirës, duke eliminuar autonominë vendore.

“Tani, pas kësaj, ka shumë të dhëna se ata kanë instaluar një sistem të thellë përgjimi të internetit. Në një moment, ata bllokuan TikTok-un. Ne po e verifikojmë, por ka të dhëna shumë të qarta, kristal, se kjo ka ndodhur. Kryeministri e ndien veten si një sheik apo emir, që shkon qytet më qytet dhe shkarkon vetë kryebashkiakët e tij, këshilltarët dhe drejtorët. Ne e kemi njoftuar Kongresin e Autoriteteve, ata do të sjellin më herët një mision për të parë situatën, sepse nuk ka autonomi, nuk ka asnjë autonomi të pushtetit vendor. Zoti President, këtu kjo është bërë krejt normale. Miqtë folën për kërcënime të ndryshme, kërcënimin rus, kërcënimin tjetër, kërcënimin tjetër. Për shqiptarët, kërcënimi më i madh ekzistencial është droga. E vërteta është, e vërteta është se, ne do t’ju informojmë ju, kolegë të nderuar, me dokumente dhe materiale, por çfarë ka dalë? Ka dalë nga antimafia italiane që përfaqësues të qeverisë shqiptare kanë bërë një takim në Aruba me kartelet më të larta të drogës.”, tha Berisha i cili shtoi akuzat e tij ndaj kryeministrit Rama dhe anëtarëve të qeverisë për një takim me drejtues të karteleve të drogës, që sipas tij ka ndodhur në Aruba.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull