Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka dalë sot në një konferencë për shtyp duke bërë me dije se grupi opozitar ka hartuar kërkesën për shkarkimin nga detyra të presidentit Bajram Begaj, i akuzuar nga PD për një sërë shkeljesh të Kushtetutës së Shqipërisë.
“Kemi dorëzuar sot në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit Bajram Begaj, për shkelje të rëndë në mënyrë të vazhdueshme të Kushtetutës së Shqipërisë.
Kërkesa është argumentuar në një material voluminoz ku analizohen të gjitha shkeljet e Presidentit, të cilat i çmojmë se kanë cënuar rendin kushtetues,” -tha Bardhi.
Ai theksoi se opozita është e bindur se Presidenti Begaj nuk mund të jetë më “de juro” kreu i shtetit.
“Pas një analize shteruese, të provave dhe fakteve të Kushtetutës, kemi arritur në konkluzionin se Presidenti ka konsumuar 7 shkelje të rënda,” shtoi ai.