Dy Kapllanë në letrat shqipe

6 Minuta Lexim
Nga Dashnor Kokonozi-
Edhe pse mund të flas për njohjen dhe vlerësimin që shkrimtari Gazmend M. Kapllani gëzon në Evropë, di pak për trajtimin e veprës së tij në Shqipëri. Për Kapllanin, si për shumë autorë të tjerë, atdheu mëmë hapet me kursim. Për të flitet pak.
Në Evropë, paraqitet një pamje krejt tjetër. Miq të mi në Greqi dhe gjetkë më flasin për të, dhe vërej vlerësimin e madh që ai gëzon në Francë. Në shënime të ndryshme kritike, ai shihet si një nga zërat më të vlerësuar të letërsisë evropiane.
Me “Petit journal de bord des frontières” (2012) dhe “Je m’appelle Europe” (2013), ai ka lënë dëshmi të shkëlqyera të intelektualit shqiptar që largohet nga vendi, si mijëra të tjerë, duke parë me dhimbje katastrofën e pashmangshme të atdheut të braktisur dhe më pas rrugën e vështirë të emigrimit — një rrugë që në të vërtetë e rriti dhe e aftësoi për një vështrim të mprehtë e unik mbi botën që e rrethon.
Por nuk është kjo më e rëndësishmja. Analiza që ai sjell përmes letërsisë gjen miratim të plotë te lexuesi evropian. Nuk është analiza e një shkrimtari lokal që nuk di as vetë çfarë thotë me barcaletat dhe deliret e tij.
Që prej shumë vitesh që e kam lexuar, më ka tërhequr vëmendjen edhe romani “Le pays des pas perdus”, që përveç gjuhës dhe shtjellimit të intrigës, më ka joshur me gjetjen e tij: dy vëllezër që takohen pas thuajse dy dekadash me rastin e vdekjes së babait. Një gjetje e shkëlqyer për të kuptuar në thellësi gjendjen aktuale të Shqipërisë, përplasjen e mentaliteteve mes dikujt që vjen nga jashtë me një përvojë të jashtëzakonshme jete dhe vëllait tjetër, që vazhdon të thartohet në një mjedis primitiv të krijuar nga një ideologji që la pas vetëm shkatërrim — por që gjithmonë do të ketë njerëz si ai që do ta mbrojnë.
Dhe meqë, siç thuhet, te individi shpesh shohim një komunitet të tërë, dhe personalja flet për universalen, ky roman i Kapllanit flet me vërtetësi për Shqipërinë e ditëve tona: atë me një këmbë të ngecur në betonin e bunkerëve dhe nostalgjisë, dhe tjetrën në ajër, pa ditur se ku ta hedhë.
Ndërsa po kërkoja të sigurohesha për vitin e botimit të veprave të G. Kapllanit, u njoha edhe me një Kapllan tjetër — Përparim Kapllanin. Ndryshe nga i pari, librat e të cilit nuk e kam të vështirë t’i blej apo t’i gjej në bibliotekën e qytetit tim, për Përparim Kapllanin, që më tërhoqi menjëherë, krijova një njohje më të mirë duke lexuar fragmente të gjera të librave të tij në një faqe personale. Dhe më duhet të pranoj se letërsia e tij më ka “agréablement surpris”, siç thotë një shprehje frënge — më habiti në mënyrën më të këndshme.
Veçanërisht “Babai në shishe”, një libër i shkruar me një narracion të butë e të ëmbël, që të kujton traditën më të mirë të letërsisë botërore.
Por të mos keqkuptohemi.
Kanë të dy të njëjtin mbiemër, por janë shkrimtarë me profile krejt të veçanta e madje krejt të ndryshme. Nëse te G. Kapllani kemi të bëjmë me një stil të hapur, me prirje për analiza sociale e filozofike, siç e tregojnë edhe temat që zgjedh, te P. Kapllani kemi të bëjmë me një stil intimist, përsiatje psikologjike dhe kërkim në skutat e kujtimeve më të largëta të fëmijërisë. Dhe këtë e bën me sukses e brio, sa të lidh pas vetes dhe të bën që edhe ti ta shohësh veten në kujtimet e tij.
Shkurt: një letërsi e mirë.
Shënim:
Ky postim nuk është kritikë letrare. Është thjesht një refleksion i çastit mbi lexime që më kanë tërhequr vëmendjen në morinë e kontakteve me botime të ndryshme. Përfitoj nga rasti t’i ftoj të gjithë, veçanërisht lexuesit, që të lënë gjithnjë përshtypjen e tyre për çka lexojnë. Është e vetmja mënyrë për të hedhur pak dritë mbi faqet më të bukura të letërsisë sonë. Dhe nuk flas thjesht për këta dy autorë. Është tragjike që letërsisë më të mirë nuk i hapet vendi që meriton.
Projektorët klanorë kanë krijuar një imazh tjetër përmes takimeve, përurimeve, çmimeve. Kujt nuk i ka ndodhur që të nesërmen e shpalljes së një çmimi të blejë librin e celebruar dhe të mos arrijë të lexojë më shumë se dhjetë faqe?
E vetmja mënyrë për të thyer pasqyrimin e shtrembëruar që na japin forumet dhe çmimet zyrtare të një letërsie që dy ditë më pas harrohet nga të gjithë, është opinioni i lexuesit. Ai mbetet nga të paktat shpresa për mbijetesën e letërsisë së mirë shqiptare. Ekziston, por nuk është ajo që temjanoset çdo ditë!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull