Enver Hoxhaj: Gjykata Speciale ishte kërkesë e partnerëve – nëse nuk e krijonte Kosova, do ta bënte OKB-ja

4 Minuta Lexim

Në një intervistë për emisionin “Tema e Ditës” në RTSH 1 HD me gazetarin Arbër Hitaj, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, analizoi zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, si dhe ecurinë e procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale të Hagës, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.

Ai u shpreh se procesi gjyqësor në Hagë ka treguar qartë se nuk ka prova të besueshme ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe se drejtësia do të triumfojë.

Procesi deri tani ka treguar që Prokuroria nuk ka dëshmi të mirëfillta dhe jeni të sigurt që z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi do të jenë triumfues në fund të procesit dhe do t’i kthehen familjes, por edhe jetës politike në Kosovë,” deklaroi Hoxhaj.

Ai e cilësoi këtë proces si një goditje në raport me Kosovën dhe me imazhin e saj ndërkombëtar, duke shtuar se Gjykata Speciale ka tejkaluar mandatin dhe misionin e saj.

Kjo ka qenë një goditje në raport me Kosovën. Peizazhi ndërkombëtar, qoftë edhe situata brenda shteteve perëndimore dhe kudo në botë, tregon që kjo Gjykatë është e tepërt në mandatin dhe misionin e saj,” tha ai.

Hoxhaj shprehu shpresën se pranvera e vitit të ardhshëm do të sjellë lajme të mira për liderët që ndodhen në mënyrë të padrejtë në Hagë.

Unë shpresoj që në pranverën e vitit të ardhshëm ky proces të mbyllet me lajme të mira për liderët që ndodhen në mënyrë të padrejtë në Hagë.”

Duke folur për themelimin e Gjykatës Speciale, Hoxhaj theksoi se ajo ka qenë një kërkesë e drejtpërdrejtë nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE, dhe se ishte më e udhës të themelohej nga institucionet e Kosovës sesa nga OKB.

Ka qenë një kërkesë që më mirë të themelohej nga Kosova sesa të themelohet një gjykatë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Mendoj se këtu duhet të kërkohet një përgjigje e tillë, dhe jo në Tiranë.”

Hoxhaj vlerësoi pjesëmarrjen e gjerë në protestën e zhvilluar në Tiranë për nder të luftës së UÇK-së, duke shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët që iu bashkuan këtij akti simbolik të kujtesës dhe solidaritetit.

Në lidhje me debatin politik mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Hoxhaj u shpreh se Kurti duhet të kishte bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën për UÇK-në në Tiranë, dhe jo të përpiqej ta godiste atë përmes një lufte hibride.

Mendoj se Kurti duhet të bënte thirrje për rritjen e pjesëmarrjes masive në protestën e UÇK-së në Tiranë dhe mos ta godiste nëpërmjet një lufte hibride këtë gjëmë madhështore që po zhvillohej në Tiranë.”

Ish-ministri Hoxhaj,  kërkoi reflektim politik dhe institucional për të mbrojtur vlerat e luftës së UÇK-së dhe për të garantuar drejtësi për liderët që, sipas tij, po mbahen padrejtësisht në paraburgim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull