Financimi i sistemit shëndetësor shqiptar, një sfidë për dekadën e ardhshme      

5 Minuta Lexim

Nga Prof. Asoc. Enkelejd Mëhilli-

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, Partia Socialiste e Shqipërisë arriti një fitore të thellë elektorale. Gjatë fushatës, debati politik u përqendrua kryesisht në tema si integrimi në Bashkimin Evropian dhe përmirësimi i infrastrukturës, ndërsa çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve, si shëndetësia dhe arsimi, morën më pak vëmendje. Këto dy fusha përbëjnë bazën e rishpërndarjes së të ardhurave dhe të sigurimit të drejtësisë sociale.

Në vitet e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e financimit të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri, e cila sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) përfaqëson rreth 6,2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky nivel arriti kulmin në vitin 2020, gjatë pandemisë së COVID-19, duke prekur shifrën 7,5% të PBB-së, për t’u stabilizuar më pas në nivelet para-pandemike. Gjithashtu, shpenzimet shëndetësore për frymë janë rritur ndjeshëm, nga 254 dollarë në vitin 2015 në 414 dollarë në vitin 2022, krahas një rritjeje të PBB-së për frymë nga 3.928 dollarë në 6.690 dollarë në të njëjtën periudhë.

Kjo rritje është rezultat i një sërë faktorësh, duke përfshirë zhvillimin ekonomik, rritjen e PBB-së, investimet publike dhe zbatimin e programeve parandaluese e të edukimit shëndetësor. Megjithatë, mbetet sfidë e rëndësishme niveli i lartë i financimit privat (pagesa nga xhepi), që përbën mbi 50% të totalit të shpenzimeve shëndetësore. Diferenca më e madhe u shënua në vitin 2010, kur financimi publik ishte 38,14% dhe ai privat 59,97%, ndërsa në vitin 2022 raporti ishte 45,19% me 51,26%.

Kjo situatë reflekton faktorë si kultura shëndetësore, kërkesa për qasje më të shpejtë në shërbime, mangësitë strukturore të sistemit shëndetësor dhe vonesat në kërkimin e shërbimeve nga qytetarët. Përvoja ndërkombëtare tregon se reduktimi i pagesave private dhe rritja e financimit publik përmirësojnë aksesin, rrisin efikasitetin, përmirësojnë treguesit shëndetësorë dhe ulin pabarazitë. Paralelsiht, kërkesa për shërbime shëndetësore vitet e arrdhshme pritet të rritet për shkak të disa faktorëve kyç, përfshirë këtu rritjen e numrit të personave mbi 65 vjeç, rritjen e personave me sëmundje kronike si dhe dhe rritjen e numrit të personave të cilët “bashkëjetojnë” me më shumë se një sëmundje kronike.

Në zbatim dhe për të përmbushur objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, veçanërisht Objektivin nr. 3 për mbulim shëndetësor universal, rekomandohen masat e mëposhtme:

  • Rritja graduale e financimit të shëndetësisë në nivelin 9,0% – 10,0% të PBB-së brenda një periudhe 7-vjeçare.
  • Kalimi drejt financimit publik (në nivele mbi 80%) të shërbimeve shëndetësore përmes taksimit progresiv direkt dhe taksimit indirekt, duke reduktuar gradualisht varësinë nga kontributet shoqërore/shëndetësore brenda 5 vjetësh.
  • Përfshirja e punëdhënësve dhe bizneseve në financim, bazuar në fitimet dhe përmes një sistemi tatimor progresiv brenda 5 vjetësh.
  • Rritja e taksave mbi produktet e dëmshme për shëndetin (si psh. duhan, alkool, ushqime me përqindje të lartë në yndyrna, sheqer e kripë si dhe produkte të tjera), me destinacion të ardhurat për buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për programe parandaluese brenda 3 vjetësh.
  • Vendosja e një tavani vjetor për kontributin e qytetarëve në nivelet e shërbimit parësor, dytësor, terciar dhe farmaceutik, me përjashtim të grupeve vulnerabël si të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike, të papunët dhe gratë shtatzëna brenda 5 vjetësh.

Këto masa përbëjnë një bazë strategjike për transformimin afatmesëm dhe afatgjatë të modelit të financimit të shëndetësisë në Shqipëri, duke e përafruar akoma më shumë me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian. Këto masa do të ndikojnë duke ulur pabarazitë dhe duke forcuar kohezionin social si dhe qëndrueshmërinë e sistemit që mbetet një sfidë kryesore për shkak sidomos të tranzicionit demografik.

 

*Doktor Shkencash në Politika Shëndetësore . Dekan, Fakuleti i Shëndetit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull