Gara për kreun e SPAK – Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton katër kandidaturat

1 Minuta Lexim

Katër kandidatët që kërkojnë të zënë vendin e Altin Dumanit, plotësojnë kushtet për të qenë kryetarë të SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh sot dhe vlerësoi se Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gogaj i plotësojnë kushtet për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme dhe emrat e tyre u kualifikuan për të vijuar më tej garën.

Pasi kaluan këtë etapë, kandidatët do të ftohen për t’u intervistuar nga KLP. Ata pritet t’i nënshtrohen një procesi të hapur përmes intervistave publike dhe vlerësimeve nga KLP, ku do të merret parasysh përvoja e tyre profesionale, integriteti, vizioni dhe aftësia për të drejtuar një institucion që ndodhet nën vëmendjen më të lartë publike.

Më 18 dhjetor, Altin Dumani, do të duhet të lerë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pas një mandati 3-vjeçar, gjatë të cilit përfunduan nën hetime figura nga më të larta të politikës në vend, si dhe disa nga organizatat më të rrezikshme kriminale në vend.

Në garë, për të marrë stafetën janë katër kandidatë, të gjithë prokurorë aktualë të SPAK, me karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe të angazhuar në çështje me ndjeshmëri të lartë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull