Ligji për Barazinë Gjinore/ Balla: PS gati të depozitojë amendamentet në Kuvend

11 Minuta Lexim

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla njoftoi se pritet që të dorëzohen amendamentet  për ligjin mbi barazinë gjinore.

Sipas Ballës, ky ligj është i mirë në thelb, por kërkon saktësime të disa termave: Atëherë, në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste dua të ndaj me ju disa informacione që lidhen me aktivitetet parlamentare të javës.

Besoj, këtë javë do të përmbyllim në Konferencë të Kryetarëve me kolegët e grupeve të tjera parlamentare 2 komisionet e posaçme, atë të reformës zgjedhore dhe komisionin e posaçëm të reformës administrative territoriale.Kemi propozuar për komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore një variant të parë të përbërjes së këtij komisioni, 17 anëtarë; 9 Partia Socialiste, 8 grupet parlamentare dhe partitë e tjera në Kuvend. Jemi të hapur për një diskutim me opozitën sa i përket edhe referencave të kaluara, ku kemi pasur edhe përbërje paritare, pra barazi, por e rëndësishme është që në këtë komision 2 bashkëkryetarët kanë të drejtën e vetos. Pra bashkëkryetari nga maxhoranca dhe ai nga opozita kanë të drejtën e vetos.

Jemi të gatshëm ta ruajmë këtë traditë, por rëndësi ka që u ngrit komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore, ku kam theksuar sot në mbledhjen e grupit edhe nevojën e 1 diskutimi për të hartuar sa më shpejt një draft sa i përket po i draftit për ligjin për partitë politike dhe për financimin e partive politike në mënyrë të veçantë.Është 1 nga detyrat e shtëpisë që Komisioni Europian na ka lënë dhe që duhet ta kemi sa më parë. Kjo është çështja që lidhet me komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Komisioni i posaçëm i reformës territoriale-administrative tradita ka qenë që shumicën e ka grupi më i madh parlamentar dhe drejtohet me kryetar dhe zv/kryetar.

Ju uroj punë të mbarë këtyre 2 komisioneve. Mezi pres konferencën e kryetarëve për të diskutuar me kolegët, me 3 kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend.

Pyetje: Z. Balla, sot Kuvendi hap vakancën për të disatën herë në fakt për Avokatin e Popullit. Në këtë moment kur ju keni votat e nevojshme për ta zgjedhur vetë, do të bëni përpjekje për t’ia lënë opozitës apo do të përdorni votat tuaja për një personalitet që ju e vlerësoni vetë?

Balla: Përpjekjet e shumicës parlamentare tani në kufijtë e 3/5-ave është që t’i japim Shqipërisë një Avokat Populli edhe në vizionin “Shqipëria 2030”, anëtare e Bashkimit Europian. Në kuptimin për t’i dhënë Avokat të Popullit dikë që përmbush profesionalisht parashikimet që ka Kushtetuta dhe ligji, jo anëtar i një partie politike por një përfaqësues i nderuar pse jo i shoqërisë civile me kontribute në jetën sociale të vendit. Nuk mund të jap një parashikim sepse ju e dini që ky proces pikë së pari niset me vetëdeklarimin, vetëofrimin.

I bëj thirrje të gjithë atyre që përmbushin kriteret të aplikojnë dhe pas këtij procesi, natyrshëm thirrja tjetër shkon për grupet parlamentare të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Kësaj radhe nuk e kanë më të drejtën që ta mbajnë më peng 3 vjet zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Pyetje: Do ja lini opozitës Avokatin e Popullit? Do ja lini opozitës apo thjesht do kaloni një proces ai që do marrë më shumë vota?

Balla: Jo, jo nuk thashë këtë gjë. Unë thashë të ndërtojmë së bashku një proces. Por ajo që dua të theksoj është që jemi këtu në këtë situatë 3 vjet me vonesë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e opozitës për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Tanimë nuk e kanë më as mbajtjen peng të këtij procesi, sepse nëse opozita nuk do dojë të bëhet pjesë, ne jemi detyruar që t’i japim Shqipërisë Avokatin e ri të Popullit.

Pyetje: Skenari për të vazhduar në votim pa lejuar diskutimet edhe në vazhdim të Parlamentit?

Balla: Nuk ka një skenar për mbyllje të punimeve. Ka një dëshirë nga ana jonë për të zhvilluar punime normale të Kuvendit. Unë besoj që javën e kaluar do kishte qenë gjithë mundësia që Kuvendi të fillonte punë nëse do të kishim ecur përpara me ato që ramë dakord në Konferencën e Kryetarëve. Do ju lutem shumë të merrni transkriptin e Konferencës së Kryetarëve. Diskutuam, kishim shumë debat. Për një moment u duk sikur s’kishim dakordësi, ramë dakord që do të kemi debat 10 orë në seancë për çështjet që kishim. Dhe ju patë vetë që pas 2 orësh nuk arritëm dot të hapim çështjen e parë të rendit të ditës. Tani rregullorja është shumë e qartë, fjala për procedurë merret kur ke një propozim për rendin e ditës. Por keqpërdorimi i fjalës në procedurë dhe pastaj sulmet banale kundër ministrave, nuk dua të ricitoj më, por është e papranueshme që një deputet për të mos thënë një funksionar i lartë i Partisë Demokratike të lëshojë fyerje pa fund ndaj ministrave dhe mos marrë një masë ndëshkimore siç e përcaktojnë nenet 64-65 të rregullores. Megjithatë po e quaj të mbyllur pjesën e seancës së fundit. Uroj dhe shpresoj që kolegët deputetë të Partisë Demokratike dhe flas këtu jo për lidershipin e grupit parlamentar të PD, por për të gjithë deputetët të kërkojnë edhe brenda grupit të tyre mundësinë për të folur. Strategjia e Sali Berishës për të mos lënë askënd të flasë por dhe të pengojë deputetët tjerë të grupit parlamentar të flasin duhet të marrë fund. Uroj që në seancën e kësaj të enjteje të kenë mundësi të flasin të gjithë deputetët.

Pyetje: A parashikon maxhoranca socialiste që brenda fundit të vitit të kemi Avokatin e ri të Popullit?

Balla: Unë do doja shumë që ta zgjidhim deri në Krishtlindje. Nuk di afatet se keni parasysh është 20-30 ditë kohë aplikimet, por ne do t’i japim Shqipërisë Avokatin e Popullit me shpresën se do t’i japim një personalitet në fushën e jurisprudencës, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ne e kemi dhënë një shembull konkret në Kuvend sepse komisionit më të rëndësishëm që merret me të drejtat e njeriut dhe mjetet e informimit publik ia kemi dhënë opozitës.

Pyetje: A do pranoni kërkesën e opozitës që ta marrin ata komisionin e reformës zgjedhore?

Balla: Do ishte shumë e mirë sikur opozita të ngarkonte dikë dhe të vinte të na e thoshte këtë, por nëse opozita do ta propozojë këtë zyrtarisht në Konferencë të Kryetarëve kam gatishmërinë, e kam diskutuar, kam marrë dhe plotfuqishmërinë nga grupi parlamentar nëse doni për ta negociuar dhe për ta pranuar.

Pyetje: Çfarë do kërkoni në reformën zgjedhore që e keni të panegociueshme? Cila është kauza që PS do e ketë kryesore në tryezë?

Balla: PS ka pasur dhe ka prej shumë vitesh gatishmërinë e saj për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të paktën në 4 palë zgjedhjet e fundit. Dhe mes tyre ajo që do doja të veçoja është çështja që lidhet me depolitizimin e niveleve të dyta dhe të treta të administrimit të procesit zgjedhor. Flas këtu për komisionet në vendet e votimit, KZAZ, por mbi të gjitha për numëruesit. Zgjedhjet e fundit treguan që PD apo dhe subjekte të tjera të opozitës nuk kanë më besim te numëruesit që propozojnë vetë. Atëherë meqë kanë më shumë besim te numëruesit që cakton KQZ, atëherë ejani ta miratojmë depolitizimin e tyre. Dhe ndërkohë që jemi të gatshëm të mbështesim çdo lloj forme të përdorimit të teknologjisë në zgjedhje. Pra zgjedhjet në Njësinë 10 në Tiranë apo në Vorë përsëri treguan që përdorimi i teknologjisë është një avantazh dhe i jep fund një historie të papranueshme që duhet të presësh me javë derisa të dalë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Këtu PD të marrë shembull nga ajo që ndodhi në Kosovë: mbaruan zgjedhjet dje, sot kemi rezultatin e pjesshëm për shkak të balotazheve, por rëndësi ka që zgjedhjet mbarojnë.

Pyetje: A ka reflektuar maxhoranca për një nismë për ligjin për barazinë gjinore?

Balla: Kemi pasur një diskutim dhe në mbledhjen e kaluar dhe në mbledhjen e sotme të grupit më në fund pas një pune intensive. Dhe të parën që dua të falënderoj është ministrja Sala e cila edhe pse prej pak javësh në detyrë ka treguar një lidership dhe një gatishmëri për të diskutuar me deputetët sipas asaj që përcakton Kushtetuta dhe dua të informoj sot se ligji është një ligj i mirë po që ka nevojë për disa saktësime më shumë termash le të themi dhe terminologjie në tërësi.Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste njofton se do të depozitojë sot ose nesër sepse janë duke punuar ekspertët tanë pasi kanë marrë dhe informacionin e domosdoshëm në rrugë zyrtare nga ministrja dhe përmes ministrit për marrëdhëniet me Parlamentin do të depozitojë amendamentet për saktësimin e këtyre termave.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull