Mbi Zgjedhjet Parlamentare në Republikën e Shqipërisë – maj 2025

5 Minuta Lexim

Nga Thoma Gëllçi

1. Hyrje

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve (ODIHR) vlerëson se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në një atmosferë të përgjithshme qetësie dinamike, ku tensioni ishte i lartë, por i menaxhuar me profesionalizëm të papërgatitur.

Procesi ishte i hapur dhe gjithëpërfshirës, përveç atyre që mbetën jashtë.

Transparenca u sigurua në nivele të kënaqshme, ndonëse askush nuk ishte në gjendje të shihte qartë se çfarë po ndodhte.

2. Kuadri ligjor dhe administrativ

Legjislacioni shqiptar ofron bazë të fortë për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, me disa boshllëqe të vogla që mund të mbushen me kreativitet institucional.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve demonstroi pavarësi të plotë në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë.

Vendimmarrjet ishin të balancuara: herë në favor të njërës palë, herë në favor të së njëjtës.

Sistemi elektronik funksionoi me efikasitet, përveç rasteve kur nuk funksionoi, gjë që dëshmon gatishmërinë për përmirësim të vazhdueshëm.

3. Fushata zgjedhore

Fushata ishte e gjallë, konkurruese dhe e barabartë, me përjashtim të mungesës së barazisë dhe konkurrencës.

Përfshirja e burimeve shtetërore u vu re në mënyrë të kufizuar dhe të gjerë njëkohësisht.

Kandidatët e opozitës patën mundësi të barabarta për t’u ankuar, por jo për t’u dëgjuar.

Fushata karakterizohej nga një gjuhë e moderuar agresive dhe një debat civil i mbushur me fyerje të kulturuara.

Shumica e mediave ofruan hapësirë të barabartë për palët, megjithëse raportimi ishte dukshëm asimetrik në favor të ekuilibrit.

4. Dita e votimit

Dita e zgjedhjeve u zhvillua në mënyrë të qetë, të organizuar dhe spontane.

Procesi u vëzhgua në mënyrë profesionale nga vëzhgues që, ndonëse nuk panë çdo shkelje, u siguruan se ajo ndodhi me rregull.

Në disa qendra, votimi filloi me vonesë për shkak të hapjes në kohë.

Sekretësia e votës u respektua gjerësisht, me përjashtim të rasteve kur u bë publike me dëshirë të votuesit apo të kryetarit të qendrës.

Atmosfera ishte miqësore, edhe pse ndonjëherë shoqërohej me britma për bufat e kënetës apo kreun e organizatës kriminale të narkoshtetit.

5. Numërimi dhe shpallja e rezultateve

Procesi i numërimit ishte transparent dhe i paqartë.

Komisionerët u përpoqën të sigurojnë saktësinë përmes gabimeve të rastësishme të shpërndara në mënyrë të drejtë mes partive.

Në disa raste, rezultatet u shpallën përpara përfundimit të numërimit, çka tregon efikasitet të lartë parashikimi.

Në të tjera raste, u vonuan, për të ruajtur suspensen demokratike.

Në fund, të gjitha partitë pranuan rezultatin në të gjitha zonat ku ato kishin fituar dhe e quajtën të paligjshëm aty ku kishte fituar kundërshtari.

6. Roli i institucioneve shtetërore

Institucionet shtetërore luajtën rol aktiv në ruajtjen e neutralitetit të qeverisë ndaj vetvetes.

Policia e Shtetit mbajti rendin dhe qetësinë, ndërsa përgjonte çdo rast potencial shqetësimi për rendin dhe qetësinë.

Administrata publike u tregua e kujdesshme që të mos përfshihej politikisht, përveç rasteve kur u përfshi për të ruajtur vendin e punës institucionalisht.

7. Rekomandime paraprake

•          Të përmirësohet kuadri ligjor në mënyrë që çdo palë të ndjehet fituese, pavarësisht rezultatit.

•          Të sigurohet që të gjitha partitë të kenë akses të barabartë në burime të pabarabarta.

•          Të shmanget përdorimi i presionit mbi votuesit, përveç rasteve kur ata nuk binden dot ndryshe.

•          Të forcohet pavarësia e institucioneve përmes varësisë më efikase nga qeveria.

•          Të garantohen standardet ndërkombëtare, duke i përshtatur në versionin lokal të tyre.

Misioni vlerëson se zgjedhjet përfaqësuan një progres të dukshëm në rrugën e gjatë drejt standardeve që ende nuk janë arritur dhe që kanë shumë rrugë për t’u bërë.

Procesi reflektoi përkushtim ndaj demokracisë formale dhe një kuptim të thellë të fleksibilitetit të saj.

Zgjedhjet shënuan hapa të mëdhenj në drejtimin e duhur, edhe pse rruga çoi diku tjetër. Procesi u vlerësua si i lirë në frymë, por i kontrolluar me përpikmëri në praktikë. Pati sukses të dukshëm në mënyrën se si arriti rezultate të pabarabarta me efikasitet të barabartë. Përparimi ishte i ndjeshëm, sidomos në fushat ku u bë një hap prapa për të krijuar iluzionin e ecjes përpara. Në përfundim, Shqipëria tregoi se demokracia mund të ecë shpejt — edhe kur qëndron në vend.

Misioni mbetet i gatshëm të kthehet për të vëzhguar edhe herën tjetër të njëjtin sukses.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull