Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar për “Euronews Albania” lidhur me mosbetimin nga presidenti të gjyqtarit të zgjedhur të Gjykatës Kushtetues, Asim Vokshi. Ai është zgjedhur nga Gjykata e Larte, si institucion emertese, që prej 30 shtatorit por ende nuk është thirrur për betim, çka zyrtarizon dhe nisjen e detyrës si gjyqtar i Gjykatës Kushtetues.
Delegacioni i BE në reagim thekson se nxisin institucionet të veprojnë menjëherë për të plotësuar pozicionin e lirë. Sipas tyre një zgjidhje e shpejtë dhe e drejtë e çështjes do të kontribuojë për forcimin e besimit të publikut.
“Delegacioni i BE-së në Shqipëri nënvizon rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore, zgjidhjes të mosmarrëveshjeve me mjete ligjore dhe ruajtjes së besimit te sistemi gjyqësor i reformuar.
Pas propozimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët për pozicionin e lirë në Gjykatën Kushtetuese, përzgjedhjes nga organi emërues – Gjykata e Lartë – dhe më pas apelimit, tani çështja është në fazën përfundimtare të shqyrtimit gjyqësor.
Autoriteti i institucioneve gjyqësore përcaktohet në Kushtetutë dhe gjithë individët kanë të drejtën e një shqyrtimi të drejtë ligjor përmes procedurave të duhura ligjore. Ne i nxisim të gjitha institucionet të veprojnë menjëherë për të plotësuar pozicionin e lirë. Një zgjidhje e shpejtë dhe e drejtë e çështjes kontribuon për forcimin e besimit të publikut,” shkruhet në reagim.

