Nisin hetimet ndaj Izraelit, akuza për pirateri dhe dhunë ndaj aktivistëve italianë të flotiljes për Gazën

2 Minuta Lexim

Prokuroria e Romës ka nisur hetimet pas ankesave të disa aktivistëve italianë që u arrestuan nga Izraeli gjatë misionit humanitar drejt Gazës. Sipas tyre, forcat izraelite kanë vepruar në mënyrë të paligjshme duke ndaluar anijet në ujëra ndërkombëtare, ku ndodhej edhe anija italiane “Karma”.

Në kallëzime thuhet se anija është sulmuar me ujë nga idrantët, është detyruar të devijojë drejt një porti izraelian dhe më pas të gjithë anëtarët e ekuipazhit, mes tyre edhe deputetë italianë, janë arrestuar dhe dhunuar fizikisht e psikologjikisht gjatë qëndrimit në burg.

Avokatët që përfaqësojnë aktivistët e quajnë ngjarjen “akt piraterie dhe rrëmbimi personash” dhe kërkojnë që Italia të hetojë, pasi bëhet fjalë për qytetarë italianë. Ata akuzojnë edhe shtetin italian se nuk i ka mbrojtur, pasi një anije ushtarake italiane që ndodhej pranë është tërhequr pa dhënë ndihmë.

Sipas raportimeve, sulmi ka ndodhur rreth 70 milje larg Gazës, në zonën egjiptiane të kërkim-shpëtimit, dhe mund të jetë urdhëruar drejtpërdrejt nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Mediat italiane raportojnë se edhe një tjetër incident në Greqi, disa ditë më vonë, mund të ketë lidhje me forcat izraelite.

Të gjithë aktivistët italianë të arrestuar janë tashmë të lirë dhe janë kthyer në Itali. Ata u dëbuan nga Izraeli dhe u dërguan në Athinë, ku kanë udhëtuar së bashku me Greta Thunberg, e cila ishte pjesë e misionit humanitar.

Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar gjithashtu çështjen, duke sulmuar Thunberg dhe thënë se “ajo ka një problem me menaxhimin e zemërimit”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull