Osmani: Në BE ka ende njerëz që besojnë se Vuçiç mund të jetë konstruktiv në dialog

3 Minuta Lexim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur skeptike se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të tregohet në ndonjë rast konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndonëse në Union, sipas saj, ka njerëz që besojnë në një gjë të tillë.

Në vlerësimin e saj, Kosova asnjëherë nuk ka qenë pala e cila ka shkaktuar probleme në procesin e dialogut, por Serbia.

“Nga Serbia unë nuk kam shumë shpresa të mëdha, natyrisht ka njerëz në BE që besojnë që Vuçiçi do të tregohet konstruktiv, unë nuk kam aspak besim që nga ky njeri mund të pritet konstruktivitet, sepse ka dëshmuar që është i interesuar në dhunë dhe destabilitet dhe është i interesuar që ta kthejë jo vetëm Kosovën, por ta kthejë gjithë rajonin prapa në vitet e 90-ta”, tha ajo në një intervistë për Deutsche Welle.

Osmani gjatë intervistës ka pranuar se neni 7 dhe neni 10 i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përmban Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe si e tillë Kosova është e gatshme ta nënshkruaj këtë marrëveshje dhe ta zbatojë në tërësi.

“Marrëveshja e cila quhet propozimi gjermano-francez që pastaj e ka pasur edhe aneksin e Ohrit ndër të tjera parasheh në nenin 7 dhe në nenin 10 edhe një gjë të tillë, mirëpo si presidente e vendit në asnjë mënyrë nuk pranoj asnjë asociacion që jep kompetenca ekzekutive për komunat serbe dhe asnjë asociacion që do të binte ndesh me kushtetutën dhe me aktgjykimin e gjykatës kushtetuese të vitit 2015”, tha ajo.

Duke potencuar se pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës lejojnë bashkëpunimin ndërmjet komunave, Osmani tha se një bashkëpunim i tillë do të ishte në rregull ama jo një bashkëpunim që jep kompteneca ekzekutive një entiteti të ri i cili del jashtë sistemit kushtetues.

“Draft statuti aktual që ishte propozuar nga zotëri Lajçak në atë kohë për fat të keqe i përmban disa dispozita të cilat si vlerësim i imi janë edhe në kundërshtim me kushtetutën edhe në kundërshtim me aktgjykimin e gjykatës kushtetuese të vitit 2015”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull