Nga Irena Beqiraj-
Vetshpallja e Pacollit si patriot është mbresëlënëse. Patriotë që bëjnë biznes duke socializuar kostot e bizneseve të tyre, që shkelin ligjet e vendit ku bëjnë biznes , edhe ku biznesi i tyre shkatërron zonat e mbrojtura, duhen studiuar. Ata nuk janë më specie të rralla, Shqipëria është bërë habitat i lulëzimit të patriotizmit shfrytëzues.
1) Biznesmeni socializon kostot, patrioti jo !
Në mars 2021, qeveria shqiptare akordoi një koncesion 35-vjeçar për projektimin, ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës një konsorcium i kryesuar nga Mabco Construction, në pronësi të biznesmenit-politikan kosovar Behgjet Pacolli, në partneritet me YDA Group të Turqisë edhe 2A Group e Valon Ademit . Konsorciumi u zotua të investonte rreth 104 milionë euro.
Mëgjithë entuziazmin e qevërisë se ky aeroport do të ofronte më shumë shërbime se ai i Tiranës, studimet e fizibilitetit ekonomik të porositura nga vetë qeveria që prej 2017 e kanë vlerësuar projektin si me rrezik të lartë dhe pak gjasa fitimprurëse.
Ndaj në kontratën koncesionare që “Patrioti” bëri me shtetin, u përfshi një garanci e jashtëzakonshme shtetërore: “nëse trafiku i pasagjerëve do të ishte nën parashikime, taksapaguesit shqiptarë do të kompensonin operatorin privat deri në 138 milionë euro në 10 vitet e para “
Me fjalë të tjera, shteti mori përsipër rrezikun e biznesit, duke premtuar pagesa nga buxheti rreth 33% më të larta se kostoja e ndërtimit të aeroportit . Madje i siguroi që këto para do ti paguajë në 10 vitet e para.
Biznesmeni Pacolli i cili shprehet se : “është i sigurt se ky investim me vështirësi do të rikthehet ” është në të drejtën e tij të kërkojë maksimizimin e fitimit edhe pagesat rreth 34 milionë euro që shteti shqiptar i ka garantuar mbi koston mund të mos i duken të mjaftueshme .
Por fakt mbetet se kontrata që Pacolli ka bërë me shtetin shqiptar privatizon fitimet për Pacollin dhe socializon humbjet duke ja kaluar ato publikut , nuk ka lidhje me patriotizmin. Me kontrata të tilla edhe anglezët do të shëndroheshin në patriotë shqiptarë .
Meqë ra fjala tek anglezët , një investigim i OCCRP në vitin 2022 gjeti prova për ndryshime në minutën e fundit të kritereve të tenderit që, dyshohet, favorizuan konsorciumin Pacolli–YDA. Një ofertues rival me bazë në Mbretërinë e Bashkuar akuzoi qeverinë për falsifikim dokumentesh dhe depozitoi kallëzim pranë SPAK-ut. OCCRP vuri re gjithashtu lidhjet e ngushta personale të Pacollit me drejtuesit politikë në Shqipëri dhe lidhje të dyshuara me figura të krimit të organizuar.
Patrioti nuk shkel ligjin për interesa personale!
Përfshirja e partnerit YDA Group me 40 për qind të aksioneve në konsorcium mundësoi shpalljen e këtij konsorciumi fitues për shkak të përvojës së YDA në ndërtimin e aeroporteve .
Më pak se dy vjet pas shpalljes fitues , në shtator 2022, YDA Group u tërhoq nga projekti dhe ia shiti të gjithë pjesën Pacollit për vetëm 4,450 euro.
Shitja e 40% të aksioneve të një kontrate të siguruar nga sheti me 138 minionë euro tregon që YDA ka qenë një pjesëtar fiktiv i konsorciumit . Aksionet janë ndarë mes Mabco Construction të Pacollit edhe 2A grup të Ademit. Ndarja është bërë me dy kontrata noteriale, Por këto kontrata nuk janë regjistruar në QKB.
Aksionet nuk janë bërë funksionale në QKB edhe pse sipas ligjit të Koncesioneve nenit 32 , tërheqja e çdo aksioneri aq më tepër e aksionerit i cili zotëron kapacitetet teknike të konsorciumit sipas dokumentave të tenderit , jo vetëm që kërkon miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktor por kërkon miratim e Ministrit të Financave.
Ndërsa 2A Group kërkon t’i njihet si 47 për qind aksioner duke pasur në dorë kontratën e kalimit të aksioneve por edhe gjithë dokumentet e investimit që sipas saj tejkalon pjësën takuese gjatë këtyre dy viteve, Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor i konsorciumit që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve. ky sërisht mbetet një konflikt financiar brenda ortakëve.
Ajo që sot patriotët Pacolli edhe Ademi duhet të na shpjegojnë përse e kanë shkelur ligjin duke mos marrë miratimet paraprake de jure ( sepse defakto jam e sigurt që i kanë marrë që në krye të herës) pranë shtetit shqiptar?
E pra, patriotët nuk shkelin ligjin për interesat personale.
3) Patrioti nuk merr pjesë në shkatërrimin e zonave të mbrojtura!
Vendi i zgjedhur për të ndërtuar aeroportin e Vlorës ndodhej në zonën e Vjosë–Nartës – një nga ligatinat më të mëdha të vendit, e pasur me biodiversitet dhe e shpallur Peizazh i Mbrojtur (Kategoria V) sipas ligjit shqiptar.
Ambientalistët dhanë alarmin menjëherë se ndërtimi i një aeroporti në Lagunën e Nartës do të dëmtonte në mënyrë të pariparueshme habitatet kritike të shpendëve dhe ekosistemet. Komisioni Evropian dhe organizatat ndërkombëtare e pasqyruan këtë shqetësim, duke e kritikuar planin si një krim mjedisor dhe duke i kërkuar Tiranës ta ndalte projektin.
Pavarësisht kësaj, autoritetet shqiptare ia hoqën zonës statusin e mbrojtur në tetor 2022 për t’i hapur rrugë ndërtimit – një veprim që Komisioni Evropian e quajti të paligjshëm sipas ligjit mjedisor të BE-së. Grupet e ruajtjes së natyrës (PPNEA, AOS) dhe Konventa e Bernës protestuan vazhdimisht, duke paralajmëruar se avionët në lartësi të ulët do të kërcënonin qindra specie shpendësh shtegtarë, përfshirë flamingot dhe pelikanët e rrezikuar.
Patrioti
Patrioti Pacolli nuk reflektoi as në këtë rast .
E pra Bacë, aeroporti i Vlorës përveçse biznes i kryer kulisave të politikës nuk ka asnjë shije a asnjë ndjesi të një vepre patriotike .
Edhe në këtë rast ju mund të quheni patriot veçse nëse pranojmë që patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve.