Patriotizmi si thiatro

2 Minuta Lexim

Çapajev Gjokutaj-

Në epokën e rrjeteve sociale kemi gjetur një mënyrë të re për të shprehur ndjenjat kombëtare: postimet dhe komentet në Facebook. Dikur kërkohej veprim.
Mic Sokoli duhej t’i vinte gjoksin topit osmn. Sot nuk ke nevojë ta tundësh prapanicën nga divani, të mjafton një emoji me flamur, një foto para Skënderbeut, një mallkim ndaj “armiqve të kombit” dhe doemos edhe një vetlavdrim si folës i gjuhës më të vjetër në botë, pasardhës i pellazgëve dhe më thellë. Duke bërë gjithë këto ia del mbanë që patriotizmin, nga veprim ta bësh shfaqje a më saktë thiatro.
Ky fenomen është pjesë e një teatri më të gjerë shoqëror, ku individët performojnë rolin e qytetarit të ndershëm, të patriotit të flaktë, dhe të moralistit të paepur, por vetëm në skenën e rrjeteve sociale. Jashtë tyre: indiferenca, konformizmi dhe mungesa e solidaritetit janë të kudogjendura.
Nëse gjysma e pasionit që derdhet në komente do të kanalizohej në veprime reale, në ndihmë për komunitetin, në solidaritet, në përpjekje për të kuptuar dhe përmirësuar; ndoshta nuk do të kishim nevojë për kaq shumë fjalë të mëdha. Se vlerat e vërteta nuk jetojnë në statuse, por në jetën e përditshme. Kurse fjalët e fryra shpesh kompesojnë mungesën e përmbajtjes.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull