Raporti “Rikthimi i udhëheqjes britanike në Ballkanin Perëndimor”, i përgatitur në kuadër të Procesit të Berlinit dhe njëri prej autorëve të të cilit është edhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, Mbretëria e Bashkuar paralajmëron se ndikimi i Kinës në Ballkanin Perëndimor po rritet me ritme të shpejta përmes asaj që autorët e quajnë një “Perde mëndafshi” të re – një version modern i “Rrugës së Mëndafshit” që shtrihet nga rajoni drejt Evropës përmes vendeve si Hungaria dhe Greqia.
Sipas raportit, Serbia është shndërruar në partnerin kryesor të Pekinit në rajon, duke zhvilluar marrëdhënie të avancuara politike, ekonomike dhe ushtarake me Kinën. Presidenti kinez Xi Jinping ka vizituar Beogradin, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka marrë pjesë në paradë ushtarake në Kinë, duke konfirmuar, sipas dokumentit, një aleancë në rritje.
Raporti thekson se bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve ka hyrë në fazë të re, me stërvitjen e parë të përbashkët të forcave speciale dhe me furnizime të konsiderueshme nga industria kineze e mbrojtjes.
Edhe skandali që çoi në protesta masive në Serbi, shembja e çatisë së një stacioni treni në Novi Sad ku humbën jetën 14 persona, ka, sipas raportit, “dimension kinez”, pasi projekti ishte pjesë e një investimi të madh të Pekinit në infrastrukturën hekurudhore të Serbisë.
Mbështetja e Kinës po zgjeron ndikimin e saj ekonomik në gjithë rajonin, me rreth 90% të kredive kineze në Ballkanin Perëndimor të përqendruara vetëm në Serbi. Projekte të ngjashme infrastrukturore janë kushtëzuar edhe në vende të tjera, si autostrada Bar–Boljare në Mal të Zi, ku një kredi afro 1 miliard dollarë nga Exim Bank e Kinës e futi vendin në krizë borxhi, duke hapur rrezikun e “diplomacisë së kurthit të borxhit”.
Pekini po fuqizon gjithashtu “Rrugën Dixhitale të Mëndafshit” përmes kompanisë Huawei dhe po zgjeron ndikimin mediatik në rajon, duke mbushur boshllëkun e krijuar nga rënia e mbështetjes amerikane në fushën e medias dhe informacionit.
Raporti paralajmëron së fundi se rritja e varësisë ekonomike, ngadalësimi i programeve perëndimore të zhvillimit dhe lodhja nga procesi i anëtarësimit në BE po krijojnë terren të përshtatshëm që Kina, në të ardhmen e afërt, ta shndërrojë ndikimin e saj ekonomik në fuqi politike dhe gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor.