Policia ka proceduar penalisht dhe administrativisht drejtuesin e mjetit të tonazhit të rëndë, nga ku u derdhën inertet në autostradën Tiranë-Elbasan, duke shkaktuar trafik kilometrik.
41-vjeçari, banues në Krujë, akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve”, pasi nuk respektoi masat e sigurisë për mjetet e tonazhit të rëndë dhe rregullat e qarkullimit.
Raportohet se kamioni tip “IVECO”, me drejtues 41-vjeçarin, ka qarkulluar me një ngarkesë të pasiguruar në Mjull Bathore.
Ai u ndëshkua me masë administrative gjobë 200 000 lekë, iu pezullua leja e drejtimit dhe iu tërhoq leja e qarkullimit.
Njoftimi:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Nuk respektoi masat e sigurisë për mjetet e tonazhit të rëndë dhe rregullat e qarkullimit, procedohet penalisht dhe administrativisht drejtuesi i kamionit.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në Mjull Bathore, kamionin tip “IVECO”, me drejtues shtetasin A. N., duke qarkulluar me një ngarkesë të pasiguruar.
Nga verifikimet rezultoi se mjeti kishte karakteristika ndërtimore dhe funksionale të ndryshuara në kundërshtim me normat teknike dhe ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. N., 41 vjeç, banues në Krujë, për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve”.
Gjithashtu, ai u ndëshkua me masë administrative gjobë 200 000 lekë, iu pezullua leja e drejtimit dhe iu tërhoq leja e qarkullimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, veçanërisht nga drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, me qëllim parandalimin e aksidenteve.



