Zbardhen diskutimet brenda Konferencës së Kryetarëve. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka folur me tone të ashpra në drejtim të kreut të Kuvendit, Niko Peleshi për mënyrën e drejtimit të seancës plenare.
Sipas tij, seanca e datës 9 tetor është mbyllur vetëm sepse deputetët e opozitës po flisnin. Bardhi ka akuzuar kryeparlamentarin Peleshi se ky i fundit nuk zbaton procedurat.
“Ajo çfarë keni bërë me seancën e fundit është shkelje e Rregullores dhe e Kushtetutës. Po e citoj këtu: ‘Kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak se po merrej fjala për procedurë.’ Zoti Peleshi, ju keni marrë përsipër të drejtoni Kuvendin.
Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që diktohet nga forcat e kartonëve. Nuk mund ta mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin.
Seanca e datës 9 tetor është mbyllur sepse deputetët po flisnin. E kuptoj që në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën e të tjerëve. Ta harrojnë! Ne nuk marrim urdhra dhe as nuk diktohemi nga krimi i organizuar.
Po e përsëris, ta harrojnë! Nëse ju, zoti Niko Peleshi, nuk e mbani dot atë karrige, lërojani kryetarit të grupit që e keni aty me votat e krimit të organizuar.”, tha Bardhi.