Nga Evarist Beqiri
Vetëm duke gjurmuar të shkuarën mund të orientohemi drejt në të ardhmen…
Historia është një mësuese mizore për të gjithë ata që ëndërrojnë me sy hapur. Sot, ndërsa Putini po përpiqet që ta shembë Ukrainën, Perëndimi ndodhet sërish në buzë të humnerës që e gremisi dikur botën mbarë, në honin e natës së luftës botërore. Le të kthehemi pak pas në kohë. Në vitin e largët 1913, Konferenca e Londrës sakrifikoi trojet shqiptare për të kënaqur oreksin e Rusisë dhe aleatëve të saj sllavë e grekë, në emër të paqes botërore. Trojet shqiptare u copëtuan, duke u përdorur si monedhë shkëmbimi në tregun e cinizmit të “stabilitetit evropian”.
Vetëm një vit më pas shpërthyen flakët e Luftës së Parë Botërore. Diplomacia dritëshkurtër nuk e parandaloi dot tragjedinë, përkundrazi e përshpejtoi. Në vitin 1938, Konferenca e Mynihut përsëriti të njëjtin gabim. Çambërlejni dhe Daladieri i dhanë Hitlerin Çekosllovakinë, duke menduar se kishin shpëtuar botën nga lufta. Një vit më vonë, Europa u përfshi në Luftën e Dytë Botërore. Sërish, iluzioni i kompromisit tinëzar i hapi rrugën shkatërrimit. “Paqe në kohën tonë”, – tha kryeministri britanik, përpara se të vdiste i kapluar nga marazi. Kënaqja e agresorit nuk solli paqen, por i hapi atij oreksin për më shumë. Nga Londra 1913, e deri te marrëveshjet e padrejta të shekullit XX, shqiptarët kanë paguar gjithmonë çmimin më të lartë. Sepse, kompromiset e padrejta janë gjithmonë burim tragjedish.
Paqja nuk ndërtohet mbi padrejtësinë dhe i forti duhet të jetë i drejtë. Sot, Perëndimi rrezikon që të bjerë sërish në të njëjtin kurth. Të kënaqësh Putinin do të thotë të pranosh që logjika e forcës të sundojë mbi ligjin, që tanket të kenë më shumë peshë se traktatet dhe që gjenocidi të shitet si diplomaci. Vladimir Putini nuk lufton për territore. Ai po lufton për të përmbysur rendin ndërkombëtar që ngrihet mbi lirinë, dinjitetin dhe sovranitetin e kombeve. Ai po teston vendosmërinë e Perëndimit ashtu si dikur Hitleri apo carët rusë. Çdo kompromis që i jep Moskës “një copë” është një ftesë për agresionin e radhës. Lufta në Ukrainë nuk është një konflikt i izoluar.
Javët e fundit, Putin po rrezikon duke ashpërsuar jo vetëm sulmet ndaj Ukrainës, por edhe luftën hibride ndaj Europës. Samiti miqësor me presidentin kinez, Xi Jinping, duket se e ka trimëruar atë. Ballkani është hallka më e brishtë, ku Moska po teston qëndrueshmërinë e NATO-s dhe BEsë. Dihet se një organizëm është po aq i qëndrueshëm sa fortësia e hallkës së tij më të dobët. Në Kosovë, Mal të Zi e Bosnje, Rusia përpiqet sot e gjithë ditën që t’i fryjë flakës së ndasisë etnike. Ne nuk duhet që të presim, që nacionalizmi i verbër të zhurisë sërish trojet tona përpara se të zgjohemi. Rusia nuk ka arritur që të dominojë Ukrainën në tokë, det apo ajër. Prandaj, të vetmen shpresë e shikon tek përçarja e NATO-s. Lufta duket se do të për fundoj, vetëm atëherë kur njëra nga palët nuk do të ketë më burimet e nevojshme për ta vazhduar.
Nuk ka paqe duke sakrifikuar Ukrainën. Nuk ka stabilitet duke pranuar qorrazi planet e “botës serbe” të mbështetura nga Moska. Çdo tolerim i agresorit është një thikë pas shpine për kombin shqiptar dhe gjithë rajonin. Ne shqiptarët e dimë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë të të mohohet e drejta e ekzistencës. Historia jonë është dëshmi e gjallë e faktit që kompromisi mbi kurrizin e të vegjëlve është recetë për tragjedi. Politika ruse karakterizohet nga ambicie që tejkalojnë mundësitë reale. Rusia është përpjekur historikisht që nëpërmjet iluzionit të forcës, të kamuflojë dobësitë e saj. Ajo kërkon që të trajtohet si një fuqi e madhe, por nga ana tjetër i mungojnë kredencialet politike, materiale dhe morale për të qenë e tillë. Nga frustrimi që nuk arrin të fitojë në ekonomi dhe shkencë, Rusia gënjen. Gënjen duke e shndërruar gënjeshtrën në art. Kur nuk mund të fitojë besnikërinë, imponon bindjen me forcë. Kur nuk arrin të dominojë me armë konvencionale, shfaqet me “masat aktive”, me luftë hibride, me dezinformim, me manipulim politik dhe psikologjik.
Strategjikisht udhëheqësit rusë janë përpjekur që të kompensojnë ndjenjën e tyre të inferioritetit nëpërmjet mashtrimit dhe dhunës. Frika, terrori, dhuna dhe vrasjet nuk janë mjete dytësore të sistemit rus. Ato janë vetë themeli mbi të cilin ai ngrihet dhe mbahet në këmbë. Këtë mentalitet të mbrapshtë, shkrimtari dhe politikani i njohur serb, Dobrica Çosiç, e përshkruan me këto fjalë: “Gënjejmë për të mashtruar veten, për të ngushëlluar të tjerët; gënjejmë nga keqardhja, gënjejmë nga turpi, për të inkurajuar, për të fshehur mjerimin tonë, gënjejmë për shkak të ndershmërisë. Gënjejmë për shkak të lirisë. Gënjeshtra është një gjendje e natyrshme e gjuhës, popullit dhe shtetit serb. Është patriotizëm dhe konfirmim i inteligjencës sonë të lindur. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, imagjinuese, shpikëse”. Historia nuk fal.
Ajo dënon të dobëtit dhe shpërblen ata që guxojnë. Shqipëria, Kosova, shqiptarët dhe Ballkani mbarë nuk mund të vendosen përballë një tjetër tragjedie, të shkruar nga cinizmi i atyre që harrojnë mësimet e historisë. Shqiptarët kanë ditur që të dallojnë gjithmonë anën e duhur të historisë. Historia na mëson se liria nuk dhurohet, ajo fitohet e mbrohet. Nëse injoron të shkuarën, nuk mund të kesh të ardhmen. Në Ukrainë po luftohet për ideale. Aty është kufiri ku sot po përballen dy botë të kundërta. Vetë e ardhmja e demokracisë liberale varet nga kjo betejë vendimtare me tiraninë. Lufta në Ukrainë dhe Gaza e kanë ndryshuar botën njëherë e përgjithmonë. Duhen kombinuar mësimet e së shkuarës me të tashmen, për të krijuar një të ardhme më të mirë. Në botën që do të rilind pas këtyre luftërave mizore, ne duhet që të kërkojmë paqen e drejtë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të njerëzimit mbarë.