Starmer mbron Shqipërinë: E kanë fyer padrejtësisht, por në fakt duhet vlerësuar

2 Minuta Lexim

Në një intervistë ekskluzive për gazetën prestigjioze britanike The Sun, kryeministri Sir Keir Starmer është zotuar që të mbyllë sa më shpejt atë që e konsideron si autostradën kriminale që kalon përmes Ballkanit Perëndimor dhe që, sipas tij, po e përmbyt Britaninë me emigrantë të paligjshëm.

Ndonëse nga Londra, ku merr pjesë në samitin e Berlinit, kryeministri shqiptar përsëriti refuzimin për ngritjen në territorin shqiptar të kampeve për kthimin e azilkërkuesve që gjenden në Britaninë e Madhe, Starmer ka deklaruar se shtete si Shqipëria janë fyer pa të drejtë, në vend që të vlerësohet bashkëpunimi me to.

Sir Keir i tha gazetës The Sun se trafikantët nga Ballkani Perëndimor kishin ndërtuar një perandori kriminale që shtrihej në të gjithë kontinentin evropian. Britanikët ende shpresojnë që ndonjë shtet si Kosova apo Mali i Zi të bindet për të pranuar një marrëveshje për qendrat e kthimit të azilkërkuesve sipas modelit italo-shqiptar, madje duke iu ofruar shuma të mëdha financiare dhe investime.

Kryeministri malazez Milojko Spajiç e ka lënë të hapur këtë mundësi nëse britanikët do të investonin 10 miliardë euro në ndërtimin e hekurudhave në vendin e tij.

Britania e Madhe ka vendosur kohët e fundit dhjetra policë kufitarë në pikat e kontrollit në të gjithë rajonin për të ndaluar azilkërkuesit që kalojnë në rrugën ballkanike.

Rreth një e katërta e mbërritjeve të azilkërkuesve me varka të vogla nëpër Kanalin e La Mansh-it kalojnë nëpër Ballkanin Perëndimor për t’u pozicionuar në brigjet franceze, ato belge e hollandeze, me sy nga bregu britanik.

Rreth 22,000 njerëz u trafikuan vitin e kaluar përgjatë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Krahas emigracionit ilegal, Mbretëria e Bashkuar synon që të nisë një bashkëpunim të ri për të luftuar grupet e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor të përfshira në tregtinë e kokainës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull