Sulejmani, Belinda dhe mësimi televiziv i historisë

6 Minuta Lexim
Nga Thoma Gellci-
Në një forum ekonomik ku zakonisht flitet për investime, bashkëpunim strategjik dhe energji, shifra dhe para, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vendosi t’i japë energji një teme krejt tjetër: edukimin historik përmes telenovelave turke. Me një buzëqeshje që do ta kishte zili edhe sulltanesha Hyrrem dhe me bindjen e një pedagoge që sapo ka zbuluar metodën revolucionare të mësimdhënies, Balluku shpalli me krenari se nuk ka humbur asnjë episod të “Sulejmanit të Madhërishëm” dhe se, falë këtij seriali, ka mësuar historinë. Jo ekonominë, jo gjeopolitikën, por historinë — me një “H” të madhe, si në titrat e një episodi special.
Publiku shqiptar nuk u habit. Në një vend ku çdo ministër ka një “rol” të vetin në serialin e quajtur “Rilindja”, ishte e pritshme që edhe historia do të zëvendësohej me një skenar televiziv. Zëvendëspresidenti turk, Cevdet Yilmaz, ndoshta pyeti me vete: “A është kjo një batutë, një shaka, apo një ofertë për koproduksion televiziv?”
Nuk e dimë nëse zëvendëspresidenti turk i ka dhuruar Ballukut një koleksion DVD me “Ertugrul Gazi” dhe një set dhuratë me peceta me logon e Sulltanit — “limited edition për miq strategjikë”.
Në fakt, duhet pranuar që zonja Balluku ka kapur frymën e kohës. Në Shqipëri, historia nuk lexohet — ajo transmetohet. Jo në orë mësimi, por në orë prime-time. Tashmë, çdo shqiptar që di kush ishte Sulltan Sulejmani ndoshta nuk e di se ku ndodhet Prizreni, por e ka të qartë që Mahidevran nuk ishte grua për t’u nënvlerësuar. A ka nevojë për mësues historie, kur kemi skenaristë nga Turqia? Pse të lodhesh me arkiva dhe dokumente, kur mund të shohësh një version me drita, kostume dhe dialogë dramatikë? E ardhmja e arsimit është këtu: “Historia përmes Hyrremit”.
Sipas logjikës së re ballukiane, në vend që të lexojmë për Skënderbeun, mund të presim një version turk ku ai del personazh dytësor që dashurohet me një princeshë osmane dhe pastaj pendohet për tradhtinë.
Por pse të ndalemi këtu? Ministria e Arsimit mund të përfshijë në programet shkollore kapitujt më të ndjekur:
– “Reformat e Perandorisë Osmane: nga Mahidevran te Balluku”;
– “Sulejmani, versioni feminist”;
– “Rilindja Kombëtare, serial në pritje të financimit”.
Në provimet e maturës, pyetjet mund të jenë shumë më frymëzuese: “Çfarë do të kishte bërë Hyrremi po të kishte marrë tenderin e tunelit të Llogarasë?” ose “Cilat ishin ndikimet e serialit ‘Sulejmani i Madhërishëm’ në politikat publike shqiptare 2020–2025?”
Në këtë kuptim, Balluku nuk është për t’u kritikuar, por për t’u lavdëruar si pararendëse e një epoke të re — epokës së didaktikës televizive. Shqipëria më në fund ka gjetur mënyrën për të kapërcyer hendekun mes kulturës dhe argëtimit. Nuk kemi më nevojë për universitete, kemi nevojë për më shumë seriale historike turke. Nuk kemi nevojë për historianë, kemi “abonentë të rregullt”.
Në fund të fundit, edhe vetë politika shqiptare është një telenovelë që nuk mbaron kurrë. Çdo ditë një episod i ri, me intriga, dashuri të ndaluara, tradhti të papritura, arrestime me suspansë dhe rikthime befasuese të personazheve që publiku mendonte se kishin dalë nga skena. Sulltani është emri që dëgjohet më shpesh në oborrin politik shqiptar, i mbushur me ambicie, xhelozi dhe njerëz që betohen për dashurinë ndaj Sulltanit. Opozita, si çdo personazh i pafat në telenovelë, endet në korridore duke thirrur “do të kthehem!”, ndërsa populli, me një filxhan çaji, sheh në ekran dramën që s’ka fund.
Dhe si në çdo serial turk, edhe këtu s’ka “The End” — vetëm “to be continued”. Sepse kur historia bëhet spektakël, politika bëhet skenografi, dhe diplomacia kthehet në monolog televiziv, e vetmja gjë që mbetet konstante është publiku që s’ka më forca të ndryshojë kanalin.
Ndërkohë, Belinda mund të deklarojë me krenari: “Unë jam dëshmia që edukimi përmes televizorit funksionon. Sepse sot unë nuk jam vetëm një politikane, por edhe një personazh historik.”
Në Shqipëri, historia mësohet përmes filmit. Kjo është tashmë doktrinë shtetërore. Tashmë, nxënësit nuk kanë pse të mësojnë për “Kongresin e Lushnjës”, mjafton të shohin “Sulejmanin” dhe të kuptojnë që edhe ne kemi pasur versionet tona të haremit politik. Universitetet mund të kursejnë miliona: leksionet e historisë mund të zëvendësohen me “sezone”, ndërsa diplomat e doktoraturës me “abonime premium”. Dhe nëse ndonjë ministër do të dojë të thellojë njohuritë në shkencë politike, mjafton të shohë një maratonë të “Ertugrulit” — aty mëson gjithçka për pushtetin, tradhtinë dhe sakrificën, pa asnjë nevojë për lexim.
Por e vërteta është se zonja Balluku nuk është vetëm. E gjithë politika shqiptare është një telenovelë me buxhet publik. Kuvendi është një studio, partitë janë produksione, ndërsa qytetarët janë spektatorë të pafat që s’kanë gjetur ende telekomandën për ta ndalur. Çdo ditë një episod i ri: njëri del, tjetri kthehet, dikush qesh me lot, dikush vuan për dashurinë ndaj pushtetit. Seriali quhet “Republika e Rilindur” dhe sezonet nuk kanë fund. Nga një krah kemi intrigat e sarajeve politike, nga tjetri melodramat e tenderëve publikë — dhe në mes, populli që sheh, por nuk flet.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull