Detektori metalik në hyrje të Gjykatës së Apelit sinjalizoi praninë e armës që do të përdorej për të vrarë gjyqtarin Astrit Kalaja. Por roja e sigurisë, në vend që të vepronte, zgjodhi të mos shqetësohej. Ky detaj nuk është thjesht një neglizhencë teknike, është një metaforë e dhimbshme për mënyrën si funksionon shteti kur formalizmi zë vendin e përkushtimit, kur detyra shihet si angari dhe kur përgjegjësia personale zhbëhet në rutinë.
Në diskutimet që pasuan ngjarjen, me të drejtë u vu theksi mbi problemet e sistemit të drejtësisë: mungesa e sigurisë në gjykata, mbingarkesa e punës, vonesat e pafundme, sorollatjet e qytetarëve, rënia e besimit tek gjyqësori si pasojë e krizës së autoritetit dhe e praktikave të dyshimta të një pjese të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve. Të gjitha këto janë probleme të mprehta që, po të mos adresohen me seriozitet dhe urgjencë, rrezikojnë ta atrofizojnë sistemin gjyqësor dhe ta kthejnë drejtësinë në një iluzion.
Megjithatë, bie në sy një mangësi jo e vogël: injorimi thuajse i plotë i problemeve që nuk lidhen me reforma institucionale, por me kulturën qytetare dhe sjelljen sociale. Akti i vrasësit nuk është vetëm një krim penal, është një simptomë e një sëmundjeje më të thellë: vetgjyqësia si mënyrë mendimi dhe veprimi. Mosha e re e autorit dëshmon se kjo prirje nuk ushqehet më vetëm nga kanuni apo e drejta zakonore, por nga faktorë aktualë si: mungesa e besimit tek institucionet, përfolja e proceseve gjyqësore nga politikanët dhe media, krijimi i “gjyqeve popullore” në media dhe rrjete sociale, ku secili ndan drejtësinë sipas emocioneve dhe jo sipas ligjit. Kjo klimë krijon idenë se ligji nuk vepron, se institucionet janë të paafta dhe se drejtësia duhet marrë me parimin “dy duar për një kokë”.
Vrasja e gjyqtarit Kalaja dëshmon gjithashtu një tjetër plagë sociale: prirjen e një pjese të të rinjve për të kërkuar fitime të lehta, pa përpjekje, pa punë, pa krijim. Në vend që të ndërtojnë vlera me djersë, ata ëndërrojnë trashëgimi, pasuri të gatshme, zgjidhje të shpejta. Kultura e punës është zbehur, ndërsa formalizmi dhe angaria po bëhen normë. Punonjësi i detektorit që injoron sinjalin nuk është thjesht një individ i pakujdesshëm, është produkt dhe simbol i një shoqërie që nuk vlerëson punën, që nuk shpërblen përkushtimin, që nuk e sheh meritën si themel të funksionimit institucional. Një shoqëri që nuk e vlerëson punën, rrezikon të humbasë edhe drejtësinë.
Tingëllon skandaloze që në rrjetet sociale një pjesë e mirë e komentuesve, në mënyrë të hapur ose të nënkuptuar, përpiqen të justifikojnë vrasësin. Argumenti kryesor është stërzgjatja e proceseve gjyqësore, sidomos atyre për pronat. Kjo qasje, përveçse e rrezikshme, është tregues i një prirjeje të rrënjosur për të relativizuar dhunën kur ajo duket si “reagim i kuptueshëm”. Në këtë mënyrë, flitet me zë të lartë për dobësitë e sistemit të drejtësisë, por mbyllet një sy dhe amnistohet krimi. Kjo është një formë e heshtur e bashkëfajësisë morale.
Në një vend ku shumë të rinj ëndërrojnë trashëgimi, jo krijim; ku puna shihet si mundim, jo si dinjitet; ku drejtësia kërkohet me rryshfet apo me dhunë, dhe jo me argumente juridike; ku ligji është i mirë vetëm kur na jep të drejtë, – e pra në një vend të tillë nuk ka dështuar vetëm shteti. Ka dështuar edhe shoqëria që e ka toleruar këtë mendësi, që e ka ushqyer me indiferencë, me justifikime, me normalizim të së keqes.
Shteti ka përgjegjësinë për të garantuar sigurinë, për të ndërtuar institucione funksionale, për të reformuar drejtësinë dhe për ta bërë atë të aksesueshme dhe të dhënë në kohë, sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Por shoqëria ka përgjegjësinë për të mos e relativizuar dhunën, për të mos e justifikuar vetgjyqësinë, për të mos e parë krimin si akt proteste.
Kur një vrasje në sallën e gjyqit shihet si “reagim i kuptueshëm”, atëherë kemi hyrë në një zonë të rrezikshme ku morali publik është zbehur dhe rrezikon të kthehet në pleh që ushqen vese, padrejtësi dhe krime. Prandaj nuk mjafton të kërkojmë reforma teknike dhe institucionale. Duhet edhe një ndryshim kulturor që synon respektin për ligjin, për punën, për institucionin.