Nga Çapajev Gjokutaj-
Nuk jam trim, po sakën se ia thoni njeriu, do më nxirrnit namin se jam frikacak dhe, në mendësinë tonë frikacaku është e kundërta e burrit dhe e burrërisë…
1.
Kam frikë nga aq shumë gjera saqë do ta kisha më të lehtë të përmendja se nga çfarë nuk kam frikë. Kam frikë nga akrepat, merimangat dhe sidomos nga gjarpërinjtë.
Këta të fundit bashkë me frikën më ngjallin dhe një ndjenjë neverie; jo për veten natytisht, neveri për ata, paçka se përgjithësisht janë të bukur. Madje thonë se të parët tanë e adhuronin gjarprin si simbol të lidhjes me tokën, me vatanin, kurse ndonjë lloj të veçantë gjarpëri si Vitorja e Shtëpisë e trajtonin si mbrojtëse të familjes.
Kam patur e kam frikë nga lartësitë. Kur isha i vogël, ndryshe nga vërsënikët, nuk u ngjitesha dot pemëve më lart se pjesa ku fillonte degëzimi. Dhe ju e kuptoni ç’do të thoshte të mos ngjiteshe dot në pemët frutore: ata që hipnin lart, si puna e pushtetarëve tanë denbabaden, s’linin gjë të binte në shesh.
Kaq e madhe ishte frika nga lartësitë saqë më frenonte për të synuar poste të larta në karierë. Këtu lartësia shfaqj në trajtë proverbash të tipit: sa më lart të ngjitesh, aq më shumë vritesh kur bie.
Tani që jam pensionist dhe karjera ka hyrë në grupin e mikeshave të dikurshme, nis e dyshoj: vërtet kisha frikë nga postet e larta apo justifikoja veten, nuk ia thoshja copë, rri urtë se kaq e ke takatin.
2.
Në fakt të kesh frikë e të jesh sadokudo frikacak nuk është fundi i botës, madje në një kuptim nuk është as gjë e keqe. Frika thonë psikologët është masë mbrojtëse, ruan jo vetëm vreshtin po edhe të zotin, dmth frikacakun.
Madje një i urtë ka thenë se në rrugën e gjatë të evoluimit nga majmun në njeri, frika ka shërbyer edhe si një lloj seleksionuesi: trimat nuk pyesnin për rreziqe dhe bëheshin pre e grabitqarëve dhe viktimë e kundërshtarëve; në kontrats me ta ishin frikacakët që e ruanin veten. Kështu që, shumica e njerëzve që popullojnë globin sot, janë pasardhës frikacakësh, trimat janë rralluar e mbase edhe janë zhdukur me kohë e me vakt.
Nuk është se dua ta mbroj frikën me çdo kusht, por më duhet të them se, në disa raste, ajo më ka shpëtuar. Jo vetëm nga rreziqe të dukshme, por edhe nga vetja ime. Se kur njeriu nuk ka frikë nga asgjë, nis e bëhet i rrezikshëm për veten dhe për të tjerët.
Sado rrallë kam ndeshur edhe njerëz që nuk kishin frikë nga asgjë dhe, më besoni, nuk kishin as mëshirë. Frika, në një farë mënyre, të mëson të ndalesh, të mendosh, të mos e shtypësh tjetrin me hovin tënd. Të mëson të jesh i kujdesshëm, jo vetëm me veten, por edhe me të tjerët. Kjo nuk është dobësi po ndjeshmëri. Dhe ndjeshmëria, në këtë botë që vrapon pa ndalur e s’ka nge për shumë përjetime të thella, po bëhet luks.
Në diplomaci, në mjekësi dhe më gjerë në marrëdhëniet njerëzore, frikacakët janë ata që ndalen, që analizojnë, që nuk veprojnë me të parën e pas berihait. Ata që pyesin veten: “Po sikur të mos jetë kështu?”, “Po sikur të lëndoj dikë?”. Dhe kjo është mbase një formë e mençurisë.
Kam njohur edhe njerëz që kishin frikë nga vuajtja, jo vetëm e tyre, por edhe e të tjerëve. Dhe pikërisht sepse kishin frikë, nuk e shkaktonin. Kishin frikë nga padrejtësia, dhe nuk e toleronin. Kishin frikë nga dhimbja, dhe nuk e përçmonin. Frika, në këto raste, bëhet themel i dhembshurisë.
3.
Kur përmend të mirat që sjell frika, nis e pyes veten: atëherë nga buron gjithë ajo përbuzje për frikacakun? Kush e shpiku turpin e frikës?
E kam menduar gjatë. Ndoshta e ka shpikur kultura epike, ajo që na mëson se burrëria është të mos kesh frikë, të mos tërhiqesh, të mos lëkundesh se muri luan po burri s’tundet vendit.
Dhe nuk po them se kjo kulturë është e kotë. Jo! Ka qenë e dobishme për ta shtyrë individin t’i shërbejë shoqërisë deri në vetmohim. Ka qenë dhe mbetet e dobishme për të na nxitur të mbrojmë atdheun apo trojet e përbashkëta stërgjyshërore.
T’i mbrojmë edhe me gjakun tonë, paçka se shumica e këtyre trojeve u takojnë atyre që janë lart, oligarkë e pushtetarë. Paçka se ka të ngjarë që atdheu i sotëm, më shumë se nga pjesa fizike konstituohet nga pjesa efemere e tij: nga historia, gjuha, kultura e përbashkët. Ndaj mbetet atdhe si për ne, pakicën që jemi fizikisht këtu, ashtu edhe për shumicën që jetojnë në vende të tjera dhe lidhjet me vendin e të parëve i kanë thuajse vetëm shpirtërore.
Interesat e pushtetarëve dhe të oligarkëve janë aq të çmuara saqë legjitimojnë të sakrifikosh edhe shumë gjera të tjera dhe jo vetëm të stigmatizosh frikën e të përbuzësh frikacakun, dmth të përbuzësh mua e, mbase edhe ty…

