Athina harton plan të ri veprimi për marrëdhëniet me Tiranën

2 Minuta Lexim

Shefi i diplomacisë greke, Giorgos Gerapetritis, ka përgatitur një plan të ri veprimi për marrëdhëniet Athinë-Tiranë, i cili do t’i prezantohet më 16 dhjetor ministres së re të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në kryeqytetin helen.

Sipas mediave greke, dokumenti përfshin disa nga çështjet më të ndjeshme të agjendës dypalëshe, mes të cilave:

-procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,

-lidhshmërinë dhe bashkëpunimin infrastrukturor-energjetik,

-çështjen e pazgjidhur të kufirit detar në Jon.

Plani është hartuar pas rizgjedhjes së kryeministrit Edi Rama për mandatin e katërt, si dhe pas premtimit elektoral për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.

Athina, sipas burimeve mediatike greke, synon të rivendosë një ritëm të ri politik dhe teknik në raportet me Tiranën.

Çështja e detit kthehet në vëmendje

Mosmarrëveshja për delimitimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive në Jon – e dakordësuar në vitin 2020 të shkojë në GJND – mbetet ende pezull.

Megjithatë, në Athinë konsiderohet se situata rajonale, veçanërisht projektet energjetike të Adriatikut dhe Mesdheut, po i japin çështjes një shtysë të re për zgjidhje.

Shqipëria po ashtu synon përfundimin e negociatave të anëtarësimit në BE deri në vitin 2027 – një moment që përkon me presidencën greke të Këshillit të BE-së. Ky harmonizim kohor e rrit rëndësinë e bashkëpunimit me Greqinë, si në fushën e politikës së zgjerimit, ashtu edhe në vendimmarrjen e ardhshme evropiane.

Ministri Gerapetritis u ka komunikuar homologëve të tij evropianë se Greqia synon të ndërmarrë gjatë presidencës së saj një iniciativë të posaçme për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE – një nismë që Athina e konsideron thelbësore për të frenuar tensionet, pasiguritë dhe rritjen e nacionalizmave në rajon.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull