Bashkimi Evropian ka sqaruar në një përgjigje zyrtare për Albanian Post se rrjeti aktual i mobilitetit ushtarak dhe korridoret prioritare të mbrojtjes përfshijnë vetëm territorin e vendeve të BE-së dhe nuk kanë një shtrirje zyrtare në shtetet e Ballkanit Perëndimor – të paktën për momentin.
“Rrjeti ushtarak i BE-së dhe korridoret prioritare shtrihen vetëm në territorin e BE-së. Ndryshe nga rrjeti TEN-T, aktualisht nuk ka rrjet ushtarak të përcaktuar në vendet kandidate. Në rast zgjerimi, korridoret do të duhet të zgjaten edhe në to pasi të anëtarësohen”, deklaron zëdhënësja e BE-së, Anna-Kaisa Itkonen.
Itkonen shton se aktualisht synimet e BE-së fokusohen tek forcat brenda unionit, ndërsa në vendet e rajonit mbështetja vjen në formën e investimeve të lidhura me transportin strategjik përmes instrumenteve si Connecting Europe Facility, ku një pjesë e fondeve është ruajtur posaçërisht për projekte që kontribuojnë në mobilitetin ushtarak.
Deklarata vjen pasi pamjet vizuale të qarkulluara në rrjetet sociale treguan skema paraprake të korridoreve mbrojtëse, ku Ballkani Perëndimor duket pothuajse i përjashtuar – me përjashtim të një segmenti që përfshinte Serbinë si rrugë tranziti mes Hungarisë dhe Rumanisë.
Kjo ngriti pikëpyetje nëse rajoni mund të mbetej jashtë arkitekturës së re të sigurisë së BE-së.
“Shengeni Ushtarak” synon ta bëjë shumë më të shpejtë dhe më efikase lëvizjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake brenda territorit të BE-së.
Sipas eurokomisionerit për Transport dhe Turizëm të Qëndrueshëm, Apostolos Tzitzikostas, sistemi i ri synon t’i japë fund procedurave shumë të ngadalta që aktualisht mund të zgjasin me javë apo muaj.
Objektivi është që shtetet anëtare t’i përgjigjen një kërkese për kalim trupash brenda tre ditëve në kohë paqeje dhe vetëm brenda gjashtë orësh në situata emergjente.
Plani përfshin krijimin e një mekanizmi të posaçëm për koordinimin dhe harmonizimin e rregullave kombëtare, si dhe një “pishine solidariteti” ku vendet anëtare mund të vënë në dispozicion mjete transporti si trena, aeroplanë, porte apo anije.
Do të krijohet gjithashtu një katalog i mjeteve dhe kapaciteteve civile që mund të përdoren për qëllime ushtarake në situata urgjente.
Një grup i posaçëm kombëtar koordinatorësh do të drejtojë implementimin dhe financimin e rreth 500 projekteve të identifikuara si të domosdoshme për përmirësimin e korridoreve ushtarake – rrugë, ura, tunele, porte dhe aeroporte që duhet të përballojnë peshën dhe dimensionet e teknikës ushtarake.
Kostoja e përgjithshme llogaritet rreth 100 miliardë euro, ndërsa financimi aktual nga buxheti afatmesëm i BE-së deri në vitin 2027 është vetëm 1.7 miliardë euro – një shifër që Komisioni e cilëson “pikë në oqean”.

