Balotazhi në Kosovë, reagon Bashkimi Evropian

2 Minuta Lexim

Ushtruesja e Detyrës së ambasadores së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, përmbylljen e balotazhit në Kosovë e ka cilësuar si dëshmi të demokracisë.

Palatova e ka mirëpritur zhvillimin e rregullt dhe gjithëpërfshirës të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash në 18 komuna.

“Ushtruesja e Detyrës së Ambasadorit të BE-së në Kosovë, Eva Palatova, mirëpriti zhvillimin e rregullt dhe gjithëpërfshirës të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në 18 komuna të Kosovës, që shënoi përmbylljen e ciklit të zgjedhjeve lokale, duke e cilësuar atë si një dëshmi të demokracisë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Kosova më 12 tetor dhe 9 nëntor organizoi zgjedhjet lokale, ku zgjodhi kryetarët e ri të komunave për një mandat katërvjeçar.

Nga 38 komunat e Kosovës, 20 prej tyre e përmbyllën garën për kryetarë komunash në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Lista Serbe në zgjedhjet lokale fitoi në 10 komuna.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje pati fituar në raundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë. Ndërsa nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë pati fituar në Istog e Lipjan, ndërsa në balotazh triumfoi në Prishtinë, Pejë, Dragash, Junik e Viti. Partia Demokratike e Kosovës pos Skenderajt, Ferizajt e Hanit të Elezit në raundin e parë, më 9 nëntor fitoi edhe në Prizren, Kaçanik dhe Vushtrri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheqë në 5 komuna. Pas fitores në Deçan, në raund të dytë doli e para edhe në Gjakovë, Suharekë, Rahovec e Klinë. Nisma fitoi në një komunë. Ndërkohë Kosova Demokratik Turk Partisi fitoi në 1 komunë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull