Burgu nuk është i mirë.

5 Minuta Lexim

Frrok Çupi-

Ka kohë që po flitet vetëm për burgje. Jo vetëm flitet, por duket se burgu është kthyer në energjinë
që vë në lëvizje mullirin ku bluhen shumë gjëra: politika, bluhen krunde për pula dhe miell për të
vobektët, thashetheme, ryshfete, fate për gjykatës e prokurorë, fatkeqësi për disa të tjerë…
Por burgu nuk është një mulli i mirë për ata që bluhen aty brenda. Për të tjerët edhe është i mirë.
Se po të ishte i mirë për këdo, sidomos i mirë për huliganët, gangsterët, të fortit dhe të
korruptuarit…, atëherë nuk do të kishte ngelur vend në burg për ndonjë të vobektë ose hallexhi që e
zuri halli në një konflikt për ujin në fshat.
Por ngaqë nuk është i mirë burgu, të fortit kandidatë për burg, fshihen në turmat që krijojnë njerëzit
idiotë.
Besoj i vutë re dje në bulevardin e madh të Tiranës, një grusht me njerëz të hutuar. Atij grushti ia
kishin vënë emrin herë ‘protestë’, herë ‘foltore’, herë ‘ne të lagjes rrëzojmë Ramën’. Secili nga emrat
e ‘tubimit’ vinte në funksion të burgut. I zoti i turmës që është kandidat për në burg, herë i urrente
ata që e rrethonin, herë desh t’u fshihej nën pantallona. Edhe kjo në funksion të burgut. Dje mori
zarfin për në hetim, po dje u kthye në vendin e krimit, në Bulevard, ku mban mbi kurriz vrasjen e
katër qytetarëve protestues paqësorë dhe plagosjen e 137 të tjerëve. Edhe pse erdhi në vendin e
krimit, prapë është në funksion të burgut. Desh t’u thoshte viktimave se ‘prapë ashtu ua bëj’, por
nuk guxoi për shkak të burgut.
Këtu në këtë bulevard ka kaluar gjithë historia moderne e Shqipërisë. Fashizmi dhe Komunizmi
kaluan këtu, këtu kanë kaluar topa dhe arkivolë. Këtu ka kaluar edhe Ilia Erenburg, një gazetar i
shquar sovjetik që tentoi t’i gëlltiste më vonë fjalët e mira që tha për kryeqytetin, por ishte e
pamundur. Vini re, edhe ky gazetar i huaj, në mbiemër ka fjalën ‘burg’.
I zoti i kësaj ‘vakisë’ mbrëmë në bulevard u duk se herë i fliste Prokurorit si t’i lutej, herë turmës që e
urrente pse i kishin ardhur në vaki. Çfarë po bëhet kështu: Tani janë ndërruar prokurorët e tij, apo
është bërë burgu më luksoz!? Ndryshe pse ta thërrisnin për te vendi. Luhatjet logjike e bënin ‘të
fortin e lagjes’ që të gëlltiste, si Eren-burgu, ditën e 21 janarit kur thuhet se dha urdhër për të vrarë
njerëz protestues.
Ky është tmerri i burgut, kot thonë se ‘burgu është për burra’. Burgu do t’i zhburrërojë disa
gangsterë që morën hije të lartë dhunuesi. Po të ishte burgu i mirë, as që kishte për tu ngritur ‘burri i
botës’ me këmbë rrëshqanas e të dilte në vakinë e bulevardit. Por po të ishte ‘i mirë’, edhe këta
mjeranët që u mblodhën në bulevard, nuk do të ishin kaq pak sa me gishta. Ngaqë burgu është
shumë i keq, njerëzit atë ditë e lënë të para-burgosurin në fatin e vet. Pas pak do të nisin edhe t’i
numërojnë gjynahet.
Njëri nga zyrtarët e kësaj turme, sapo doli nga burgu ka nisur fushatën për të marrë në dorë
kryesimin e turmës. Këta e quajnë ‘parti’. Ai akoma e di se burgu të jep nder dhe të vë në krye.
U desh një mal i madh me akte, me ligje, me dëshmi, me prova…, për ta bërë gati si dhëndër drejt
burgut këtë tipin që kryesoi mbrëmë foltoren në bulevard. Po të ishte burgu i mirë, ai do të shkonte
me këmbët e tij. Ç’i ka parë syri i ka zënë dora deri më tani.
Veç kësaj, u desh që të burgoseshin dhjetëra zyrtarë të tjerë, nëpunës të shtetit e jo të shtetit. Pse?
Për të praktikuar rrugën për ‘shefin e pandëshkueshëm’. Tani erdhi momenti kur e kanë marrë

përdore dhe po i thonë: ‘Hajde pra, nuk ka lezet. Ja shiko si shkojnë të tjerët në burg. Hidhe hapin
edhe ti!’.
Kaq i vështirë është burgu; por më e tmerrshme vrasja e njeriut; as krahasohen. Kur autori i vrasjes
shtetërore bën si trim, këtë e bën për të mitizuar burgun. Kinse ‘unë nuk pyes për burgun!’.
Këtë e bëjnë për të ngritur veten para viktimave.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull