“DHEAS TË FJALËS” SË ALEKSANDËR ÇIPËS

5 Minuta Lexim
Nga Miho Gjini-
E prisja këtë “FJALË DHEU” e të birit të vyer të Çipajve të Polifonisë Jugore, që ngjan si e dalë nga toka e nga deti, si poezi, fllad ere e ulërimë , per të diturit e të paditurit…Prej atij fshati që qëndron si në ajër , midis qiellit e tokës, maleve Akrokeraune që lëshojnë pa rreshtur edhe vetëtimat.
Po edhe kur, sa bukur ndjehet fyelli i bariut të shqerave, që ua merr atyre melodive të pavdekshme të “të ziut” Neço, që aq ndritshëm e trashëgoi edhe Lefter Çipa, i ati i Aleksandrit, po aq i ndjeshëm, i përkor sa edhe i ati, poet tokësor e kulturolog njëherësh, publiçist e analist i mënçur, stilist, krijues e fjalëformues i gjuhës Shqipe, vëzhgues i saktë i politikës dhe hulumtues i vlerave kombëtare…Që se duron dot as qetësinë e as zhurmën, duke e ditur se “Mbi re nuk ka stacjone”!
“O shëkë vdekça nga kënga/Në nje dite prilli a maji/ kur zbardhet mbi maja hena/ ne kenge te kthehet vaji/Vdekca e prape u ngrefsha/shoket ne këngë  gjetça…”,-thuhet në njerën nga poezitë e Lefter Çipës. Ndërsa Aleksandri në librin e tij “Dheas të fjalës”, “ringjall” personalitete të kulturës kombëtare, për t’i radhitur përbri bashkëkohësve si “modele të arta” e shembëlltyra për brezat e rinj.
Duke shkruar për vlerat parësore të Fishtës, Mjedës , Koliqit e Camës, me vështrimin e sotshëm, autori Çipa i këtij libri, si analist bashkëkohës, vë re qasjet e revistave “Shejzat” të Koliqit e “Përpjekja Shqiptare”, që përbëjnë “një ortakëri publiçisiko-edituese të pakrahasueshme me askënd,-nënvizon ai,-,,…,por të ngjajshme me dyshen Koliqi-Camaj”, duke ofruar edhe analistë si Merxhani-Koça në lëmin e filozofisë.
Në këto revista Camaj është i pranishëm, me poezinë e publiçistikën e tij atdhetare, gjithashtu Migjeni, Kart Gurakuqi, Petro Marko, Dhimiter Shuteriqi e etj…Që trajtojnë çështje të ndryshme atdhetare e kulturore, vlera letrare e sociologjike, si edhe çështje të gjuhës.
Për të kaluar tek poetë të periudhës kritike të “Realizmit Socialist”, si tek Rreshpja i vetmisë e Arapi i lirikës, tek Agolli ,-Devolliu që i shpuri “tajsën me baltë” lidhjes së Shkrimtarëve, tek rebeli Keko e i ëmbëli Ruka, tek “YIIi i skenës Mujo e i palodhuri i teatrit Dhimitër Orgocka, tek gazetarët e ekranit e të prapaekranit , si Dhimitër Gjoka e Agron Çobani, si edhe tek disa përkthyes, publiçistë e shkrimtarë që i evidenton me fisnikëri, nga “harresa”, po edhe nga disa autorë kompleks të kulturës e me një emër të MADH, sikundër qe Moikom Zeqo, nga ata që “e kapërcejnë veten” e tyre….
Është një libër-mozaik, me qasje analitike kulturologjike, refleksione dhe ese, që rrëfejnë stadin e epërm të këtij publicisti erudit, në auditore shkencore, ku lëvrohet veç mendimit , edhe gjuha, stili e vështrimi prirës. Si dëshmi e një niveli kulturor që bashkon kultrurën letrare me kulturën sociologjike, në nocione reale aktuale.
Kemi pra njerën nga ato botime të munguara të shkencës sonë letrare, për të mos humbur në “humbëtirë”, a në zik-zaket e Historisë (të pa shkruar ende) të kohërave të shkuara e pasardhëse, ku ende nuk ka një mendm unik analitik.
Po ja që, ky Aleksandri i Çipajve, hedh një ide të shenjtëruar, për t’i përjetuar ne “Bronz” këto figura të ndritshme, ashtu sikundër më 2012-ën me bustin e Petro Markos mbi shkëmbinjtë e Dhërmiut, me kaçurela e me cigaren në buzë. Dhe kushdo e kthen kokën nga Barba Petrua, kur shkon udhës.
Po për “Zëbilbilin e Polifonisë”, ç’do të bëjmë atje në shkëmbenjtë e Himarës, për të kujtuar edhe se si u trazuan Lotët e “Orfeut-Këngëtar” me dallgët e detit?
E, për ta “shëruar” disi dhimbjen, atje në Pilur po i ngrë vetë një muze “BARDIT të Polifonise” Lefter Çipës, që trashëgoi Neçon e polifonine e tij dhe që vajti e këndoi mu në mes të Parisit me krrabën në qafë, pikerisht atje ku Neço Djali hodhi në pllakat e gramafonit, me Tefta Tashkon e “Bilbilat” e Himarës këngët e Bregut..
E kështu me radhë…, Ashtu si derdhen paratë për gradaçelat, le të ngrihen edhe monumente për këta njerëz të mëdhenj të Kombit.
Se nuk është e mjaft “letra”, qofë edhe LIBRI, që sot “njerëzia e anashkalon” dhimbshëm!…
“Dheas i Fjalës” është një kontribut i tillë, fare i vogël, gjithsesi tepër i madh nga asgjëja e asgjëkundit…..

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull