Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, mori pjesë në edicionin e 10-të të Shkollës së Integrimit Evropian, ku foli për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe rolin e shoqërisë shqiptare në këtë proces.
Në fjalën e tij, Gonzato theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian është një projekt mbarëshoqëror, që kërkon përfshirjen e të gjitha forcave politike dhe të qytetarëve.
“Secili prej jush ka mundësi të kontribuojë në integrimin në BE. Shqipëria ka nevojë për këtë kontribut, sepse siç thuhet në raportin e anëtarësimit integrimi është një projekt që duhet të ketë autorësi jo vetëm të qeverisë, por edhe të opozitës, qytetarëve dhe komuniteteve lokale,” deklaroi ambasadori.
Ambasadori vuri në dukje se Shqipëria po hyn në një fazë thelbësore të anëtarësimit, ndërsa po vijon me çeljen e të gjithë grupkapitujve të negociatave.
“Shqipëria po hyn në një proces themelor të anëtarësimit, që vijon çeljen e të gjithë grupkapitujve.Së shpejti do të çelim edhe grupkapitullin e fundit. Edhe pse çelja e tyre është një arritje e qartë që është përftuar me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Faza tjetër do të jetë vendimtare, do të jetë më e vështirë pasi mbyllja e kapitujve të nergociatave është qartësisht më e vështirë se sa çelja e tyre.
Kjo është koha kur vullneti dhe aftësia e Shqipërisë për të miratuar dhe zbatuar reformat rrënjëosre e të qendrushme për të harmonizuar veten me standard të BE-së do të vihet në sprovë. Ja pse raporti shprehet se Shqipëria duhet të ruajë e madje të shpejtojë ritimin. Kjo është e nevojshme nëse Shqipëria dëshiron të përmbush qëllimin e vet ambicion për të mbyllur negociatat deri në fund të 2027.
Për këtë kemi nevojë për fokus, qasje të gjithë përfshirjes dhe vendosmëri. Urgjenca e reformave në kuadër të anëtarësimit në BE nuk duhet dhe nuk mund të vijë në kurriz të cilësisë, sepse integrimi në BE nuk është një proces ku ke një listë e ku shënjon detyrat. Presim që Shqipëria të arrijë një reform konsistente. Anëtarët e BE presin që Shqipëria të arrijë një zbatim konsistent dhe në kohë të reformave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët në jetën e përditshme”, tha Gonzato.

