Nga Dashnor Kokonozi-
Si sot dhjetë vjet më parë, një bandë kriminelësh islamistë mori përsipër të ndëshkonte Parisin, si simbol të Perëndimit të shthurur, sipas tyre. Ishin individë që, megjithëse jetonin kryesisht me ndihma sociale, shfaqeshin të veshur sipas modës së fundit, me flokë të lyer me xhel, ndërsa netët i kalonin duke u droguar dhe duke nxjerrë para me trafiqe të paligjshëm.
Kjo nuk i pengonte të kërkonin t’i impononin Parisit të revolucioneve sociale e industriale zakonet e beduinëve të shekullit VI.
Atë natë ata masakruan 132 vetë. Ishin bashkëmoshatarë të tyre. Ishin djem e vajza të cilët, pas një dite të lodhshme pune, po shijonin një koncert muzikor ose po pinin një gotë birre në ndonjë bar të Parisit.
Fluctuat nec mergitur, është deviza e Parisit që prej mijëra vjetësh: “E rrahën dallgët, por nuk u fundos.”
Sot, kjo maksime ruan gjithë aktualitetin e saj. Të mbash këtë moto në mendje do të thotë të zgjedhësh të qëndrosh në këmbë, të zgjedhësh jetën para vdekjes.
Fluctuat nec mergitur eshte një shprehje që vjen nga thellësitë e urtësisë njerzore për të na kujtuar nevojën për vetëpërmbajtje dhe dinjitet përballë barbarisë.
Mendoj shumë për atë natë kur vajza vonoi të më përgjigjej në telefon, por më shumë mendoj për ato prindër të cilëve fëmijët nuk iu përgjigjen më kurrë !

