Nga Zyrafete Shala-
Në një kohë kur gazetaria përballet me sfida të reja dhe informacioni shpesh humbet mes zhurmës së rrjeteve sociale, botimi i dy librave të gazetarit të njohur Nehat Islami nga Botimet DRINI vjen si një akt i fuqishëm kujtese, dokumentimi dhe reflektimi. “Hotel Bejruti”, në botimin e tij të tretë të plotësuar, dhe “Kur vjen kamerieri”, përmbledhje artikujsh të shkruar gjatë viteve ’90, përbëjnë dy shtylla të rëndësishme të gazetarisë shqiptare që lidhin periudha historike të ndryshme, por që kanë si qëllim të përbashkët ndriçimin e së vërtetës përmes fjalës së saktë e të ndershme.
Ribotimi i librit “Hotel Bejruti”, përveç si aktualizim dhe rivlerësim i një periudhe të ngarkuar me tensione të ashpra politike, vjen edhe si një përvojë e rrallë e gazetarisë shqiptare me dimension ndërkombëtar. Shkrimet e përmbledhura në këtë libër, janë raportime autentike nga vatrat e krizave në Lindjen e Afërt dhe të Mesme gjatë viteve ’70, përfshirë Libanin, Sirinë, Irakun, Iranin dhe Egjiptin, të cilat, në këtë botim të tretë janë pasuruar me një epilog që pasqyron zhvillimet e mëvonshme në shumicën e këtyre shteteve. Kjo i jep lexuesit mundësinë të ndjekë jo vetëm ngjarjet në kohën kur ato ndodhën, por edhe vijimësinë e tyre historike, duke e parë më qartë se si ato kanë evoluuar dhe çfarë epilogu kanë marrë në vitet e fundit.
Si korrespondent i gazetës “Rilindja”, Nehat Islami ishte i vetmi gazetar shqiptar që raportonte drejtpërdrejt nga ky rajon në një kohë kur liria e mediave ishte shumë e kufizuar. Por më shumë sesa raportues, ai ishte një vëzhgues i mprehtë dhe një interpretues i thellë i realitetit historik e kulturor të asaj bote të ndërlikuar. Me stil të qartë, gjuhë të pasur dhe ndjeshmëri njerëzore, ai shndërroi përshkrimin gazetaresk në një formë të letërsisë dokumentare duke i sjellë lexuesit shqiptar përvojat dhe dramën e Lindjes, jo si lajme të ftohta, por si rrëfime përplot emocion. Si i tillë “Hotel Bejruti” është një udhërrëfyes i vlefshëm për të kuptuar rrënjët e shumë krizave të sotme ndërkombëtare, edhe nga këndvështrime nga të cilat nuk i kemi njohur më parë. Për ata që e kanë lexuar më parë, është një rikthim domethënës; ndërsa për lexuesit e rinj, është një shembull i gazetarisë që mishëron integritet dhe vizion.
Në anën tjetër, libri “Kur vjen kamerieri” sjell një përmbledhje të shkrimeve të Nehat Islamit të botuara në gazetën “Bujku” gjatë viteve ’90, dekadë kjo që për shqiptarët e Kosovës përfaqëson një nga periudhat më të rënda të shtypjes, izolimit dhe mungesës së lirive elementare. Në ato rrethana, gazetaria, më shumë se profesion, ishte formë e rezistencës qytetare, por edhe mision për mbrojtjen e të vërtetës dhe të dinjitetit njerëzor. Në kohën kur Radio Televizioni i Prishtinës dhe gazeta “Rilindja” u mbyllën nga regjimi serb, “Bujku” mbeti i vetmi zë i organizuar i fjalës së lirë. Pikërisht këtu, shkrimet e Nehat Islamit dhanë kontribut të veçantë në dokumentimin e realitetit dhe në mbajtjen gjallë të shpresës kolektive. Artikujt e tij të përmbledhur në këtë libër, mbulojnë një gamë të gjerë temash: nga zhvillimet politike në Kosovë, te proceset ndërkombëtare që ndikuan në fatin e saj, e deri te analiza e marrëdhënieve globale pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Edhe te këto shkrime, ai nuk shfaqet vetëm si kronist i ngjarjeve, por si një analist i matur, i cili, përmes lidhjeve të natyrshme ndërmjet kontekstit vendor dhe atij ndërkombëtar, e vendos Kosovën në një hartë më të gjerë të ngjarjeve botërore. Artikujt, të ndarë në kapituj tematikë dhe të plotësuar me karikatura politike të Veli Blakçorit (përfshirë edhe ballinën) përbëjnë një arkiv të gjallë të kohës, një dëshmi që vazhdon të flasë me forcë edhe sot.
Të dyja këto botime i japin lexuesit mundësinë të njohë një profil të rrallë të gazetarit shqiptar, një njeri që e ka jetuar profesionin me ndershmëri të thellë dhe me përkushtim të pashoq. Nehat Islami mbetet një emër referent për gazetarinë shqiptare, një figurë që ka ditur të ndërthurë raportimin faktik me përgjegjësinë morale ndaj fjalës dhe lexuesit. Prandaj, librat e tij mbeten pasuri për të ardhmen, për studentët e gazetarisë, për studiuesit e historisë, për diplomatët dhe për çdo qytetar që e ndien nevojën për të kuptuar botën në të cilën jeton.
Me “Hotel Bejrutin” dhe “Kur vjen kamerieri”, Botimet DRINI ofrojnë për lexuesin dy vepra me vlerë të jashtëzakonshme dokumentare dhe kulturore, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e një trashëgimie të çmuar profesionale dhe intelektuale.

