Nesër mbledhja e parë Itali-Shqipëri/ Zbardhen detaje nga takimi, cilat do të jenë ‘shtyllat’ e diskutimeve

2 Minuta Lexim

Mbrojtja, industria dhe emigrantët, janë tre çështjet kryesore në tryezën e samitit Itali-Shqipëri, që zhvillohet nesër, ku për herë të parë në Romë do të bëhen bashkë qeveritë e dy vendeve fqinje, me në krye kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni.

Mediet taliane kanë zbuluar detaje nga Samiti i Romës, që vjen në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit, teksa shkruajnë se “Tirana është në listën e pritjes për anëtarësim në BE dhe po bën hapa të rëndësishëm për të mbushur boshllëqet strukturore”.

“Mbledhja e parë ndërqeveritare Itali-Shqipëri e mbajtur në Romë do të jetë një mundësi për të shqyrtuar bashkëpunimin dypalësh dhe për të rënë dakord për nisma të mëtejshme që synojnë forcimin e partneritetit strategjik midis Romës dhe Tiranës, duke identifikuar sektorë kyç si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor, dhe duke u përqendruar në trajnimin profesional në secilin prej këtyre sektorëve të bashkëpunimit”, shkruajnë mediat në Itali.

Më tej, thuhet se në sektorin e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji, dhe infrastruktura detare do të vendoset në Shqipëri për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve.

Duke iu drejtuar migracionit, mediat shkruajnë se “do të krijohet një grup i përbashkët pune për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër imigracionit të parregullt dhe për të forcuar aftësitë e patrullimit detar të Shqipërisë”.

Në fokus të takimit dypalësh, thuhet se do të jenë edhe shumë fusha të tjera, përfshirë dhe kujdesin shëndetësor, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull