Mohamed Hamdan Dagolo, i njohur si “Hemedti”, është bërë një figurë kryesore në skenën politike të Sudanit, me forcën e tij paramilitare, Rapid Support Forces (RSF), që tani kontrollon gjysmën e vendit.
RSF arriti një fitore të rëndësishme kur pushtoi qytetin el-Fasher, fortesën e fundit të ushtrisë sudaneze dhe aleatëve të saj në Darfurin perëndimor.
I frikshëm dhe i urryer nga kundërshtarët, “Hemedti” admriohet nga mbështetësit e tij për vendosmërinë, ashpërsinë dhe premtimin për të rrënuar një shtet të diskredituar. Ai është me origjinë nga komuniteti arab Rizeigat që merret me blegtori dhe jeton mes Çadit dhe Darfurit.
Pas një rinie të vështirë, ai u angazhua në tregtinë e deveve dhe më pas u përfshi në strukturat paramilitare që vepronin në Darfur gjatë konflikteve të fillimit të viteve 2000.
Gjatë viteve të dhunës në Janjaweed, “Hemedti” mori pjesë në sulme ndaj fshatrave të grupeve etnike Fur dhe Masal, duke u njohur për krime të tmerrshme. Një raport i Kombeve të Bashkuara dhe SHBA-ve e përshkruan atë si pjesëmarrës në gjenocid, ndërsa disa komandantë të tjerë janë dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Pas viteve të dhunës, “Hemedti” ngriti një rrjet paramilitar dhe një perandori të fuqishme ekonomike, duke përfituar nga minierat e arit dhe lidhjet ndërkombëtare, sidomos me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe grupin Wagner të Rusisë. Në vitin 2013, ai mori drejtimin e RSF-së, duke sjellë njësitë e Janjaweed brenda strukturave të tij me armë dhe mjete të reja.
Kur protestat masive kundër regjimit të Omar al-Bashirit shpërthyen në 2019-ën, “Hemedti” fillimisht u paraqit si mbrojtës i demokracisë, por më pas RSF sulmoi qytetarët, duke vrarë qindra persona dhe kryer krime të rënda, sipas Human Rights Watch. Megjithatë ai ka mohuar përgjegjësinë për këto akte.
Në 2023-in, pas përplasjeve me ushtrinë sudaneze nën komandën e Abdel Fattah al-Burhan, RSF rrethoi bazat kryesore të ushtrisë dhe Pallatin Kombëtar në Khartoum, duke hapur rrugën e konfliktit masiv.
Dhuna u përhap në Darfur, ku mijëra civilë u vranë…
RSF plaçkiti qytetet, tregjet dhe universitetet, ndërsa tregtia e paligjshme u shfaq në tregjet e njohura si “Dagolo markets”.
Tanimë, me marrjen e el-Fasher, RSF kontrollon pothuajse të gjithë territorin e banuar perëndim të Nilit.
“Hemedti” ka krijuar atë që ai e quan “Qeveri të Paqes dhe Bashkimit” dhe shpesh duket se synon të krijojë një shtet paralel ose të kontrollojë Sudanin përmes fuqisë së tij ushtarake dhe ekonomike, ndërkohë që masakrat ndaj civilëve vazhdojnë.
Ky konflikt thekson sfidat e mëdha që ka Sudani sot: një vend i ndarë, i shkatërruar nga lufta, ku forcat paramilitare të “Hemedti” vazhdojnë të dominojnë jo vetëm politikën dhe ekonominë, por edhe jetën e njerëzve…ndërsa bota duket e pafuqishme për të ndaluar abuzimet!

