Nga Ervin Lera-
Në të vërtetë, sipas Rilindasit të vërtetë, po bëhen pothuajse dyqindepesëdhjetë vite, që paskëtaj ditë më të bukura do të vijnë…
A është ky lajtmotivi shqiptar i shpresës se paskëtaj, pas asaj, pas çdo kësaj e asaj, ditë më të bukura do të vijnë? Dhe, për më tepër që në kohë suksesesh opozitare në rajon dhe kontinent, ndoshta edhe në botë – me shumë kthime sistemesh, të majta, të djathta, të pjerrëta dhe të drejta e të padrejta – dhe me një grusht njerëzish në Shqipërinë madheshtore – dikur fanar ndriçimi për linjën dhe vijën e drejtë socialiste sipas teorisë marksiste, dhe sot sipas çështjes më të drejtë të opozitarizmit demokratik – fanar i drejtësisë popullore për drejtësinë dhe antikorrupsionin e antidrogës – po ndriçojmë mendjet e popujve të mbarë botës për të arritur demokracinë e vërtetë. Aq më tepër që kjo në kulmimin e vet, sot ndodh një ditë pas tempullit të kulturës së një kombi dhe kombeve – panairit të librit, i cili për hir të së vërtetës e thekson më së shumti se në Shqipëri ka shumë pak, pothuajse aspak letërsi, libra dhe më zi se kaq as lexues – nën stendat ende vezulluese gënjeshtare të panairit të librit.
Pse në të vërtetë, palo opozita-kolacioniste e korrupsionit dhe mashtrimit qeveritar nuk e ngre zërin në emër të artit, kulturës, traditës, trashëgimisë, gjuhës dhe historisë së një kombi të vuajtur këtej dhe andejmi kufijve të territorit mëmë? Kjo palo opozitë e përlyer në zullum dhe në bashkëfajësi me faktorët dhe aktorët vendas dhe më tej, edhe pse ngre zërin se denoncon, shton forcat e të dënuarve në burgje apo paraburgime, ka përgjegjësitë e veta më të mëdha se ato që denoncojnë.
Në fillimet e qeverisjes rilindase, këta opozitarët patriotë, u morën me makinat dhe targat e makinave dhe harruan trading/shkëmbimin kanabis-kokainë që zemëroi edhe tregjet shtetërore ndërkombëtare dhe prishi ekuilibrat qeveritarë të organizimit dhe kontrollit të trafiqeve. Në vazhdim, në mirëkuptim dhe me vetësakrifikimit. Në vazhdim, në mirëkuptim dhe me vetësakrifikim çuan në paraburgim, ndëshkim dhe dënim, antikorrupsion emra që pak ose aspak janë të përfshirë, ndërkohë që nuk dinë se si të vlerësojnë atë që kanë bërë vetë ndër vite dhe kanë mbjellë me kulturën dhe edukimin e vet korruptiv dhe antidemokratik – kapitalist – sepse mos të harrojmë se ka dhe një kulturë dhe edukim demokratik socialist sipas mendësisë marksiste që vazhdon dhe frymëon sot e kësaj dite të gjithë palo antikomunistët dhe palodemokratët e sotëm që shfryjnë për të mbuluar me hi mëkatet e veta bolsheviko – korruptive – por nuk bënë as drejtësi, as fajësim dhe për më tepër as ata dhe as sistemi i drejtësisë nuk ka bërë rimbursim të dëmeve që i janë shkaktuar financiarisht këtij populli të zhvatut që është shndërruar në i zhvatshëm kronik.
Një grusht kureshtarësh, që sot vranë kohën e lirë dhe kursyen paratë e kafesë së mbasdites nuk janë as mbështetës dhe as nxitës jo e jo, as nuk u cënuan me krisma manovre dhe as me shkopa gome sepse bezdisën qetësinë e të gjithëpushtetshmit qeverisës, por me shumë qetësi dhe autoironi pranuan që të largohen drejt banesave pa ndikuar as në xhiron e bareve dhe kafeneve rreth e rrotull. Palo opozita kolaboracioniste të paktën të ketë dinjitetin e turpit ose paturpësisë dhe të pranojë se paskëtaj ditë më të bukura, njësoj si deri më tani do të vijnë edhe për pothuajse 250 vite të tjerë ndërkohë që pas 250 vitesh fjala e Rilindasit të madh Naim Frashëri nuk ka dalë.
A janë kaq të paparashikueshme vërtetë teoritë rilindase???!!!…

