Partia Demokratike ka bojkotuar sot mbledhjet e të gjitha komisioneve parlamentare ku pritet të diskutohet projektbuxheti i vitit 2026, ndërsa deputetja Jorida Tabaku ka zgjedhur t’ia adresojë kritikat qeverisë përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Sipas Tabakut, buxheti i propozuar nuk u shërben qytetarëve, sipërmarrjes apo familjeve shqiptare.
Në postimin e saj, ajo thekson se ekonomia shqiptare po bëhet gjithnjë e më e brishtë, eksportet janë në rënie dhe sektorë të rëndësishëm si ai i bujqësisë dhe fasonerisë po përballen me një krizë të dukshme.
“Nis sot diskutimi i buxhetit.
Çfarë ofron ky buxhet për qytetarët?
Së pari, ky nuk është as buxheti i pensionistëve, as buxheti i sipërmarrjes, as buxheti i qytetarëve, as buxheti i familjeve shqiptare.
Ky është thjesht një buxhet rutinë, që nuk sjell asnjë model të ri ekonomik dhe asnjë shtysë për një ekonomi shqiptare që është bërë gjithnjë e më e brishtë.
Dua të theksoj disa gjëra kryesore.
Modeli ekonomik shqiptar nuk prodhon më. Shqipëria nuk mund të ketë një ekonomi betoni.
Eksportet janë në rënie, bujqësia është në krizë, ndërkohë që sektorë si ai i fasonëve, që dikur mbanin peshën e eksporteve dhe të punësimit, janë në rënie.
A i jep zgjidhje ky buxhet këtyre dilemave? A sjell ky buxhet shpresë në ekonomi?
A sjell një model të ri ekonomik që Shqipëria e ka kaq shumë të nevojshëm?
Përgjigjja është e qartë: absolutisht jo.
Çfarë ndodh me këtë buxhet?
Së pari, megjithëse taksat janë rritur vit pas viti, buxheti reflekton dy probleme kryesore: ekonominë informale dhe emigrimin e lartë.
Të ardhurat mbeten vetëm 28% e Produktit të Brendshëm Bruto – një nivel që tregon qartë dështimin e modelit aktual.”, thotë ndër të tjera Tabaku.

