Personazh jo fort i zakonshëm ky Fatos Nano!

5 Minuta Lexim

Nga Edval Zoto-

Për brezin tim, ndoshta mbahet mend si i pari politikan ndaj të cilit kemi shfryrë vrer — mbase jo aq sa e meritonte, në krahasim me paraardhësin e tij në postin e kryeministrit, por sepse e kapi momenti të ishte në pushtet në një kohë kur ne, bashkëmoshatarët e mi, po zgjoheshim politikisht. Ishte koha kur vetëdija jonë politike po merrte formë, dhe ndoshta për këtë arsye, Nano u bë objekti i parë ku projektonim zhgënjimin dhe shpresat tona. Po aq ndikoi edhe karagjozllëku i veprimeve të tij — një sjellje që shpesh ngjante më shumë me tonën, si adoleshentë të kohës, sesa me atë të një mesoburri në krye të shtetit.
Më vonë, kur brezi im do të piqej — ose më saktë, do të kuptonte si piqen punët në këtë vend — modeli i tij politik, pavarësisht rrangallinave të zakonshme e ekseseve që përshkojnë çdo periudhë politike shqiptare, u shfaq si më i përmbajtur dhe më pak uzurpues se shumica. Ndoshta edhe më i miri ndër “wannabe”-t autokratë që ka prodhuar politika shqiptare, por me një stil që i jepte një shije tjetër pushtetit: argëtues, popullor dhe me një ironi që shërbente si urë sheqeri mes brenda dhe jashtë-partiakëve.
Derimë tani, mbetet ndoshta i vetmi kryeministër që ka kryer një dënim për korrupsion përpara se të vinte në pushtet — si një lloj parapagese morale, apo ndoshta politike. Ai do të fuste më vonë “modelin allishverishist” në inkubatorin e politikës shqiptare, mbase për të zbutur përplasjet sociale të momentit apo auto-destruktivitetin tonë karakteristik. Është, në një mënyrë të pashmangshme, “babushi shpirtëror” i gjithë mogulëve e krye-biznesmenëve shqiptarë që ende nuk dinë si të shpjegojnë milionin e tyre të parë; por nga ana tjetër, mbetet i pranuar edhe nga shitësit e vegjël të lagjeve si një nga themeluesit e tregut të lirë dhe liberalizmit ekonomik shqiptar – sado i paqëndrueshëm është ai.
Mbase ai ishte edhe frymëzuesi i praktikës së përzierjes së lekut të pisët me atë të pastër, për të krijuar një lek “më pak të pisët” që do të mbante gjallë frymën e një shteti që, gjatë kohës së tij, pa vetëm 110 mijë njerëz të largoheshin — një shifër gjithsesi më e ulët se periudhat para apo pas tij.
Pa asnjë dyshim, Fatos Nano ishte një intelektual i mirëformuar, me një humor që e hollonte apo e trashte me mjeshtëri, sipas audiencës. Unë vetë e kam njohur në një pasazh të tillë të jetës. Në periudhën kur shfaqi për herë të parë dëshirën për t’u bërë president, ndodhi që unë isha student pasuniversitar, dhe ai erdhi si “guest lecturer” — pjesë e fushatës së tij të ëmbël për t’u rikthyer në vëmendjen publike. Disa muaj më vonë do ta takoja sërish, kur më dorëzoi diplomën si “student i shkëlqyer”. Ahimè!
Por ajo që më ka mbetur më fort në mendje është takimi i parë. Pasi foli gjatë për euro-integrimin, demokracinë, dhe të gjitha ato që thuhen në podiume, e mbylli me një thënie që vetëm Nano mund ta thoshte me aq natyrshmëri:
“Ore, mos studioni shumë, se bëheni budallenj!”
Salla u shkreh në të qeshura. Dhe unë mendoj se, në atë batutë, Nano e përmblodhi më mirë se kushdo kontradiktën shqiptare mes dijes, pushtetit dhe ironisë së mbijetesës.
Në këtë përshkrim të dimensionit të tij politik, unë natyrisht jam biased — i ndikuar nga shumë nga ato angushti tipike të brezit tim, rigorozisht “millennials”, siç na quajnë tani. I përkas një brezi — e kryesisht atyre prej nesh që, të shkolluar jashtë vendit, i kemi përjetuar ato përvoja si më shumë mallkim se bekim, pikërisht për shkak të realitetit të rikthimit që na ofruan brezat e këtyre udhëheqësve, me gjithë diapazonin e sukseseve e dështimeve të tyre, kryesisht të ndikuara prej egove personale më shumë se nga çdo gjë tjetër. Mbase ai reality check ka qenë diçka e mirë, mbase jo. Ku i dihet si shkojnë punët më tej? Gjithçka tretet në relativizimin e kohës.
Në planin personal, më vjen keq për largimin e tij të parakohshëm, nën diktatin e një sëmundjeje. U prehtë në paqe! Të vërtetat të vërteta të tij, i di veç ai — dhe mbase mbinjerëzorja që e ka pritur pas ndarjes nga jeta.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull