Nga Arben Iliazi
Lexuesit shqiptarë e njohin prej vitesh Aleksandër Çipën si gazetar aktiv, opinionist dhe eseist të shkëlqyer, që ka ndjekur jetën politike kulturore të vendit, gjë që ka ndikuar në formimin e tij si njeri dhe artist.
Por duhet thënë se edhe interesat e mirëfillta letrare i kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen, duke e konceptuar shkrimin shkrimin si një mënyrë të ekzistencës së vet. Kam lexuar dy prej vëllimeve të tij me poezi, “Deti nuk ka portë”, “Mbi re s’ka stacione”, ku është shkrirë një pjesë e biografisë së tij. Të gjitha poezitë e përmbledhura në këta libra në tërësi përbëjnë një metaforë të madhe të jetës, që rreken në krijimin e një etnografie semiotike.

Duke pasur një njohje të gjatë me të, gjatë viteve kur dhe unë isha i pëfshirë në gazetarinë aktive, them me bindje se ka një lidhje organike mes poetit dhe poezive të tij. Besoj se ajo çfarë është pasionuese në krijimtarinë e këtij poeti është pikërisht mënyra kryekëput individuale në të cilën ajo shfaqet. Sartre-I na mësonte të mos e kërkojmë njeriun gjithkund, por vetëm atje ku ai gjendet. Edhe ne le ta kërkojmë vlerën e konstruksionit të poezisë së Çipës vetëm atje ku gjendet.
Poezia e Aleksandër Çipës është autentike joniane; ajo është mishërim i invencionit, ose observimeve, i mundësive të pafundme të sintezave asociative, i gërshetimit të nuancave të ndryshme të të shprehurit, elementeve diskursive dhe imagjinatës së frytshme e të paanë, ku imazhet dhe mendimi gjenerojnë një qark të shkurtër emocional abstragimesh dhe konkretizimesh, si parabola të identitetit. Siç thotë vetë poeti Aleksander Çipa, emocionet dhe qasjet e tij të meditimit lidhen me 3 elementët ekzistenciale të botës njerëzore. të tokës, detit dhe qiellit.
“Zbrisni nga qiejt ju zogj,
Krahët shkëmbeni me njerëzit,
Pendesa e ikjes prej vetes
Atyre u përket gjithherë”.
(Pendesa)
I ndali dallgët deti,
Mendova: nuk po merr frymë Toka!
Në kurmet tona ndalën,
Frymëmarrjet e plota.
Si dhe gjithësia,
…ka dy anë Bota.
(Dy anë)
“Shpatullat nga mali e sytë tej në det,
Ç’libër të shenjtë nuk ka shkruar pritja?!
Në bregdete koha është matje prej dallge”.
(Pritja)
“Tirren mjegullat në maja, për velenxë bore në dimër,
Nën këmbë kanionet hapen, si një makth,si një ëndërr,
Qiellin e lartë nga poshtë, këto male shohin vëngër,
Treten isot nëpër hone, zëra që ngarkojnë ëngjëjt”.
(Maleve të Labërisë)
Qysh kur ka botuar poezitë e para, kam vërejtur se krijimet e A. Çipës i karakterizon një lirizëm i fuqishëm dhe një natyrshmëri e thellësishme poetike. Vitet e fundit poeti ka manifestuar shenja të avancimit të lirikës së tij, apo ndonjëherë edhe shenja të dukshme të përsosmërisë. Raportet e shumanshme ndërmjet poezisë dhe jetës pasqyrohen në atë manierë lakonike, në të cilën motivet letrare mpleksen me ato jetësore, duke ruajtur autonominë e funksionit estetik. Çipa lëvron një poezi meditative që pasqyron gjendje të caktuara ekzistenciale, që kanë një thelb romantizmi.
Elemente thelbësore të poezisë së tij janë ndjenjat delikate, mendimi i thellë, muzikaliteti dhe imazhi befasues, ku ndërtohet një udhë etike drejt bukurisë, harmonisë dhe ekuilibrit.
Në krijimtarinë e këtij autori fjala ndihet si fjalë, dhe jo vetëm si hedhje emocionesh. Fjala me kompozimet e saj, me semantikën e saj, me formën e brendshme dhe të jashtme, përfton gjithçka dhe vlerën në vetvete – në vend që në mënyrë indiferente t’i qëndrojë realitetit.
Nëpërmjet një ligjërimi të drejtpërdrejtë lirik, autori mëton të rikrijojë një dialog poetik, duke e vënë shpeshherë edhe në brendinë e funksionit mishërues poetik.
Poezitë janë mishërim i invencionit, ose observimeve, mundësive të pafundme të sintezave asociative, i ndjesive të tij, të lidhura ngushtë me vendlindjen dhe me të gjithë shtratin e vet mitik në një regjistër gati burimor. Mitikja identifikohet në nivelin e thellë të teksteve:
“Bora nën re, unë mbi retë,
Shoh si rrënoj mitin e jetës prej Tokës,
Rrëshqas me avion drejt një kontinenti,
Duke provuar zvogëlimin e imazhit për rruzullin”.
(Mbi re s’ka stacione)
“Rrugës Llogara-Himarë
Deti është vetëm dhe unë jam në rrugë,
Si hala më shpojnë mungesat që s’rreshtin.
Jam nisur në Himarë të gjej tim At,
Homerik i parënë, bard që s’humb vreshtin.
Shkel brigjet me vrull, zog i pastinë,
Mbërrita kaq shpejt tek zall i Çezarit.
Të gjitha historitë i bëra stivë,
Homerit a Odiseut t’i flas të parit?!?
Zalli dhe rëra qysh në zanafillë,
Janë triumfi mbi Detin dhe dallgët plaka.
Aty ku zgjohen gjithë metaforat antike,
Shfaqen e shuhen ngjyrat e rralla.
S’ka mite që lindin dhe mite që vdesin,
Në brigjet e vjetra të visit Himarë.
Aty veç derdhen në gjenerata zënkat,
Për atë që s’kthehet dhe, atë që s’është marrë.
Në ecje më zunë ca tinguj kambanash,
Një meshë e kaltër s’e di ç’frymë jep!
Në visin homerik të kohës sime,
Ka përherë grimca për libër të shenjtë”.
Poezia e A. Çipës qëndron midis të shkuar dhe të tashmes, simbolit dhe substancës, perceptimit dhe të krjuarit, ideales dhe reales. Në botën që shpalos poeti para lexuesit ngjan se është e vështirë të dallohen përvijimet e një realiteti të mirëfilltë, që synon diku.
Në disa poezi, nëpërmjet vargjeve si: “Bota është e kallur në qiej pa anë/Dy sy na mjaftojnë të shohim ç’na duhet…”, poeti bën thirrje për rigjallërimin e imagjinatës, me një theksim të magjikes, të së rastësishmes, irracionales, simboleve ose ëndërrave.
Impresionizmi i tij e kap jetën në mënyrë krejt individuale nëpërmjet një mekanizmi stilistik të posacëm, herë herë shpërthyes e befasues.
Në poezinë e tij ndihet edhe fryma e ankthit metafizik dhe absurditeti i gjendjes njerëzore. Poeti ka mësuar të njohë në thellësi gjendjen njerëzore, vlerën e njeriut dhe të dashurisë njerëzore.
“Ka vite që korrierët e krejt postave nëpër botë,
Nuk sjellin e as shpien asnjë letër dashurie.
Ky dimër i tmerrshëm në kohë të ngrohjes globale,
Një Antarktidë ngrirje ka, në shpirt të kësaj njerëzie…”.
(Nuk ka më letra dashurie)
***
Poeti ka disa poezi të ndjera për “gjuhën e dheut”, siç e quan ai gjuhën tonë.
Duke nderuar me një respekt sublim, me solemnitet e magjepsje gjuhën shqipe, Aleksandër Çipa ka bërë një zgjedhje vevetiu kulturore.
“Po biri, djali im, si e ka shqipen?
Gjuhën e dheut a e flet dhe së largu?
Me cirkun tim e ushqeva ati im,…
Dhe kokën e mban si gjyshi, kah pragu…
Kah pragu, ati im,
Kah pragu!
(Breznitë)
Ja çfarë shkruan poeti pak kohë më parë në një status publik:
“Unë jam adhurues i gjuhës sime amtare Shqipe, dhe kam disa arsye specifike për mbartjen e këtij adhurimi:
Kur nisa ta artikuloj në fjalët e para, im At, poet i këtij vendi, më zgjodhi disa fjalë të shtrenjta e të shenjta si: shqiptar, atdhe, këngë, poezi, letërsi, mëmëdhe, babë, mëmëzonjë, jashtënesh, etj., etj. Dhe shqipja e vendorigjinës sime Pilur, në këngë e poezi, ishte dhe mbetet më e bukur se çdo bukuri e këtij versioni të folur në ato vise…Kur fitova rrjedhshmërinë e përdorimit të shqipes nisa ta krahasoja atë me të folmen e një vendi fqinj e cila më ish e huaj dhe nuk më arriti dot ta kisha gjuhë të menduari si gjuhën time amtare. Në kohën e rritjes, rinisë dhe madhimit tim moshor, shqipja m’u bë gjuha magjike që më rridhte e rrjedh si veshje e plotë dhe e kadifejtë mendimesh. Adhurimi im për këtë gjuhë, m’u bë detyrë për ta brumosur dhe zotëruar edhe dy djemtë e mi tashmë të mërguar, sepse kjo është ndër gjuhët e rralla në botë që pati martirët e saj në të shkuarën. Rilindësit themelonjës të bukurisë afirmuese të Gjuhës Shqipe, lanë apelin mëtonjës dhe testamental: ” Mblidhmani gjakun! Bëmani bojë, të mësojnë alfabetin fëmijët e Shqipërisë!”
Gjuha amtare është vlera e identifikimit tim në botën me shumë gjuhë. Unë e dua adhurueshëm këtë gjuhë se jo vetëm e mora si trashëgim nga lindësit dhe paraardhësit e mi, por po e mbart si të tillë dhe tek pasardhësit…”
Gjuha e poetit A. Çipa të befason me veçantinë e saj. Ajo pasqyron me saktësi unin e brendshëm dhe botën e jashtme.
Çipa, në poezinë e tij, grishet të shfytëzojë dhe të përdorë, pa bërë as më të voglin dallim, të gjithë elementët e gjuhës sonë të bukur shqipe, në të gjitha aspektet themelore dhe në të gjitha variacionet e funksioneve të saj.
Funksioni poetik i gjuhës në krijimtarinë e këtij autori duket në orientimin e mesazhit, në dikotominë themelore të shenjave dhe objekteve,
në të cilën ky funksion i mbivendoset funksioneve të tjera të gjuhës.
Kështu, poezia epike, e shprehur gramatikisht në veten e tretë, zotëron funksionin referencial të gjuhës; lirika, e orientuar drejt vetës së parë, është ngushtësisht e lidhur me funksionin emotiv; poezia e vetës së dytë ka të ngulitur funksionin konotativ.
Funksioni emotiv zbulohet nëpërmjet metaforave, metonimive, pasthirrmave, asonancave apo konsonancave, aliteracioneve apo elipseve, që krijojnë harmoni imitative dhe mundësi të vecana të organizimit sintaksor të veprës poetike për të rritur efekte e vecanta stilistike e kuptimore. Apo figura të sintaksës poetike si elipsa, iversioni, konversioni, kiazma etj. Me plot formacione emotive ato i japin atmosferë gjithë shprehjes poetike, në të gjitha nivelet: fonetike, gramatikore dhe leksikore.
“Në një pikë dite është një pikë jete.
Pikë, pikë shkon jeta nga dita në ditë.
Nuk gdhend gurin, por shton rrudhë dhe thinjë…
Pikë, pikë shkon jeta ditë me ditë…
…në kohë të njeriut me iluzione dhe punë….”
Gjuha e poezisë së A. Çipës është e kondensuar dhe ekspresive.
Autori e koncepton tekstin estetik si tërësi shenjuese të organizuar në nën njësi funksionale ose në hapësira tekstore, që kanë një marrëdhënie të motivuar mes tyre, ku tërësia shenjuese paraqitet si hierarki shndërrimesh semantike. Edhe po të përqëndrohemi te dallimet në strukturën ritmike, ngjashmëritë e ndryshme që lindin në nivelin fonetik të secilës poezi krijojnë një thurje të papërsëritshme kuptimesh.
Problemi me të cilin ndeshemi kohët e fundit është zbehja e gjuhës deri në përcudnim, rendja kot më kot pas fjalëve të huaja dhe “puritantizmave” pa kuptim, me një përkorje të tmerrshme, mjaft e disfavorshme për letësinë tonë kombëtare të kultivuar. Këto e rëndojnë artin dhe e kthejnë në një lloj tabuje, duke krijuar ambivalenca ndjesore.
Thuhet që fjalët janë metafora të mendimeve, që gjuhët fonetike të popujve janë metafora të vecanta të shpirtit të tyre. Që të kemi një letërsi autentike, shkrimtarët duhet të jetojnë nën hijen e ngrohë të identitetit të tyre kulturor. Gjuha është elementi kryesor identitar, është energjia e shpirtit krijues, Shtetet evropiane shumë herët e kanë formuar identitetin e tyre në bazë të vlerave kulturore të rrënjosura thellë në gjuhë. Jo më kot edhe ata që kanë lindur në një vend me letërsi të madhe kanë shkruar në gjuhën e vet, me të folmen e tyre të veçantë.
Gjuha shqipe, në një rrugëtim të lashtë të sajin, mbart gjurmët që e shenjuan, por mbi të gjitha
mbart e sendërton konstitucionin mendor e shpirtëror të kombit tonë. Pikërisht në këtë gjuhë, nga shkrimtarë të njohur shqiptarë, janë shkruar kryevepa të formatit evropian.




