Progres-raporti i BE për Shqipërinë: Problem mbipopulli i burgjeve dhe vonesat në gjykata

3 Minuta Lexim
Bashkimi Europian ka publikuar Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2025, ku ndër gjetjet kryesore theksohen problematikat që lidhen me kushtet në burgje, sjelljen e policisë dhe qasjen në drejtësi.

Në faqet 36–39 të raportit, BE vlerëson se reformat ligjore kanë përparuar në disa fusha, por thekson se ende mbeten mangësi serioze në respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

Kushtet e Burgjeve dhe Sjellja e Policisë
Në pjesën e dedikuar për sistemin penitenciar dhe policinë, raporti evidenton disa shqetësime të përsëritura nga vitet e mëparshme.
Sipas dokumentit zyrtar të BE-së:
“Mbipopullimi në burgje vazhdon të jetë problem. Ka pretendime për trajtim të keq dhe mungesë kujdesi të mjaftueshëm shëndetësor. Llogaridhënia për sjellje të papërshtatshme të policisë është e kufizuar; mekanizmat për ankesat janë jo të zhvilluara.
(Faqet 36–37, Raporti i Progresit 2025)
Raporti thekson se, pavarësisht përpjekjeve të institucioneve shqiptare për të përmirësuar kushtet e të dënuarve dhe paraburgosurve, numri i të burgosurve vazhdon të jetë mbi kapacitetet e institucioneve.
Nga ana tjetër, Komisioni Europian nënvizon nevojën për më shumë mbikëqyrje të pavarur ndaj strukturave të policisë dhe zbatimin e standardeve të trajtimit njerëzor.
Në rekomandimet për këtë fushë, BE kërkon:
“Zbatimin e reformave në burgje për të ulur mbipopullimin dhe për të përmirësuar kujdesin shëndetësor. Forcimin e monitorimit të sjelljes së policisë, duke përfshirë mbikëqyrje të pavarur.”
(Faqet 36–37)
Qasja në Drejtësi
Një tjetër pjesë e raportit ndalet në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe qasjen që qytetarët kanë në drejtësi.
Komisioni shënon si problematike kryesore:
“Vonesa në gjykata dhe qasja e kufizuar në ndihmë juridike pengojnë të drejtën për një gjykim të drejtë. Grupet e cenueshme, përfshirë minoritetet dhe gratë, preken në mënyrë disproporcionale.”
(Faqet 38–39)
Në analizën e tij, raporti evidenton se, megjithëse është rritur numri i juristëve dhe programeve të reformës gjyqësore, proceset vazhdojnë të zgjasin dhe qytetarët me të ardhura të ulëta hasin vështirësi në sigurimin e përfaqësimit ligjor.
Në pjesën e rekomandimeve, BE i bën thirrje institucioneve shqiptare që të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar një sistem më të aksesueshëm për të gjithë qytetarët:
“Zgjerimi i programeve të ndihmës juridike dhe sigurimi i procedurave gjyqësore në kohë. Promovimi i fushatave ndërgjegjësuese mbi të drejtat dhe qasjen në drejtësi.”
(Faqet 38–39)
Vlerësimi i përgjithshëm
Raporti i këtij viti ruan tonin e kujdesshëm të vlerësimeve të mëparshme, duke pranuar progres në disa fusha, por duke nënvizuar nevojën për përmirësim të qëndrueshëm në zbatimin e të drejtave themelore.
Fokusi i Komisionit mbetet në forcimin e institucioneve të pavarura, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë dhe strukturat e sigurisë./nl/TemA

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull