Ambasada e Ukrainës ndodhet përballë pallatit presidencial në Bishkek, kryeqytetin e Kirgistanit. Por Vladimir Putini nuk e sheh. Ajo është mbuluar me një panel të madh, vendosur pikërisht në rrugën që ndan dy godinat. “Mirësjellje për mysafirët”, e quajnë. Kirgistani është bërë një aleat gjithnjë e më i çmuar për Rusinë. Vitet e fundit, ky vend pothuajse pa industri ka rritur me 150% blerjet e gjysmëpërçuesve, mikroçipëve dhe çdo tjetër produkti nga vendet që i kanë vendosur sanksione Moskës, pa pyetur kush se ku përfundon i gjithë ky mall.
Ishte e pashmangshme që gjatë kësaj vizite shtetërore presidenti rus të shprehej për situatën aktuale. Dhe në fakt foli gjatë, pa thënë shumë. Pjesën më të madhe të kohës përsëriti teza të vjetra, me ato fraza të përgatitura që duken si pronë e gjithë nomenklaturës ruse.
“Disa në Perëndim mendojnë se duhet luftuar deri te ukrainasi i fundit”, tha ai, thuajse duke cituar pa dashje ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov, i cili më herët citonte ish-presidentin, Dmitry Medvedev dhe kështu me radhë.
Me një farë ironie, Putini u shpreh se nuk ishte më i sigurt se ç’plan do t’i paraqitej ditët e ardhshme në Moskë nga Steve Witkoff, por saktësoi se plani origjinal me 28 pika mbetet një bazë e mirë nisjeje, siç ka përsëritur këto ditë edhe zëdhënësi Dmitry Peskov dhe normalisht. Megjithatë, shtoi se pas bisedimeve në Gjenevë mes SHBA-ve dhe Ukrainës, “ata kanë vendosur mes tyre” ta ndajnë tekstin në katër pjesë, “të cilat duhen përkthyer ende në një gjuhë diplomatike”.
Në çdo rast, sipas tij, aktualisht nuk bëhet fjalë për “një projekt-marrëveshje, por për një grup çështjesh” që duhet të “diskutohen, përpunohen dhe formulohen përfundimisht”. As deklarata më përfaqësuese e qëndrimit të tij nuk është e re.
“Luftimeve do t’u vijë fundi vetëm kur trupat ukrainase të largohen nga zonat që po mbajnë nën kontroll, përndryshe Rusia do ta sigurojë këtë rezultat me mjete ushtarake”, tha ai.
Ky është një koncept që ai e ka përsëritur edhe më parë, por duke pasur parasysh faktin që Putini i referohet në mënyrë të përgjithshme katër rajoneve ukrainase të aneksuara në shtator 2022 me një referendum të njohur nga shumë pak shtete, deklarata merr peshë më të madhe në dritën e diskutimeve të tanishme për një tjetër negociatë paqeje.
Ai shtoi gjithashtu se Krimeja dhe Donbasi “duhet të jenë temë e negociatave tona me Shtetet e Bashkuara” dhe duke folur për situatën në front, përmendi “përparimet” që, sipas tij, ushtria ruse po bën në rajonin e Zaporizhias.
Disa deklarata të tjera të rëndësishme ishin ato për Europën. Putini tha se është i gatshëm të nënshkruajë një dokument ku shprehet se Rusia nuk ka ndër mend ta sulmojë kontinentin, duke u ndalur më pas te mundësia e konfiskimit të aseteve ruse të ngrira në BE, gjë që sipas tij do të kishte “pasoja negative për sistemin financiar global”, do të ulte besimin në Eurozonë dhe do ta detyronte atë të përgatiste “një paketë kundërmasash” mbi të cilën tashmë po punohet. Në njëfarë mënyre, ai nxori në pah frikën më të madhe të momentit.
Nuk e tremb aspak vizita e afërt e Steve Witkoff, të cilin e mbrojti me forcë, duke kujtuar se në Rusi publikimi i telefonatave të tilla “është vepër penale”. Prania e mikut amerikan, sipas tij, nuk lidhet me ndonjë interes vetjak – larg qoftë. Këtu Putini përdori një teori të vjetër për të justifikuar një gjë të re: Faktin që negociatat po zhvillohen kryesisht me Washingtonin, dhe sidomos kërkesën e tij për një njohje ndërkombëtare të rezultatit të bisedimeve, duke përsëritur pretendimin se mandati i Volodymyr Zelensky-t ka skaduar dhe se në Kiev nuk ka më njeri me të cilin të firmosë një marrëveshje të vlefshme.
Përfundimi? Asgjë përfundimtare. Kohë e paqartë, shumë rrugë për t’u përshkuar, dhe po aq pikëpyetje mbi vullnetin real të Kremlinit për paqe.
Corriere Della Sera

