Prokuroria e Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit ka dhënë pretencën për ish-deputetin Jurgis Çyrbja.
SPAK kërkon nga GJKKO dënimin me 3 vjet burg për Çyrbjan, të akuzuar për nxjerrjen e sekretit shtetëror, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje.
A2 mëson se Çyrbja do të dënohet përmes formulës së gjykimit të shkurtuar, dhe në rast të pranimit të kërkesës së SPAK, ai do të vuajë 2 vite burgim.
Të njëjtin dënim SPAK kërkon edhe për Altin Hajrin.
Kurse për Ahmet Mashan kërkon 2 vite e 6 muaj, ose 1 vit e 8 muaj burg nga gjykimi i shkurtuar.
Kujtojmë se Çyrbja akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për disa vepra penale të rënda, të dokumentuara përmes komunikimeve në platformën e koduar “SkyECC”, mes tyre tregim i sekretit shtetëror.
Cyrbja dyshohet se ka nxjerrë informacione sekrete të Policisë së Shtetit dhe të dhëna nga sistemi TIMS, duke ndihmuar persona të kërkuar, përfshirë Altin Hajrin, t’i shmangeshin kapjes.
Po ashtu Çyrbja, akuzohet se ka ofruar ndikim te organet ligjzbatuese në këmbim të sigurimit të votave nga Altin Hajri për zgjedhjet e vitit 2021.
Ish-deputeti Jurgis Çyrbja ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” që prej tetorit të vitit të kaluar, pasi dha dorëheqjen nga mandati i tij.

