Prokuroria e Posaçme SPAK ka refuzuar kërkesën e misionit monitorues të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës për t’u takuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Misioni i KE vizitoi Shqipërinë në datat 17-19 nëntor dhe kishte kërkuar një takim me Veliajn në ambientet e IEVP Durrës, ku ai mbahet në paraburgim prej shkurtit 2025, për t’u njohur me situatën e tij.
Nga ana tjetër, gjatë qëndrimit dyditor në Tiranë, misioni monitorues zhvilloi disa takime me institucionet shqiptare dhe u prit edhe nga Avokati i Popullit dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Gjatë takimit me Gjykatën Kushtetuese, sipas njoftimit për media, u diskutua gjerësisht në lidhje me kuadrin ligjor shqiptar për sa i përket qeverisjes dhe autonomisë vendore, si dhe rasteve kur është vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese, të cilat kanë pasur kryesisht si objekt shqyrtimi zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis organeve të qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve, si dhe ankimet individuale në rastet e shkarkimit nga detyra të kryetarëve të bashkive dhe komunave, siç ishte dhe rasti i shkarkimit të kryebashkiakut Veliaj.

