Nga Toni Gogu*
Z. Berisha thotë se ky ligj është ideologjik dhe kundër Shkrimit. Unë po flas me tekstin e ligjit dhe me faktet.
Së pari, ky nuk është një ligj ideologjik; është një akt ligjor dhe europian. Prej vitesh, institucionet europiane kërkojnë kuadër më efektiv dhe të matshëm; projektligji përafron direktivat e BE-së dhe ecën me Kartën e të Drejtave Themelore. Kjo është politikë publike europiane, jo “eksperiment kulturor”.
Së dyti, ligji nuk shpik “gjini të reja” dhe nuk krijon realitete të reja ligjore. Teksti flet qartë për burra dhe gra dhe synon barazi reale mes tyre. Termat “orientim seksual” dhe “identitet gjinor” janë pjesë e ligjit shqiptar që prej 2010-s; ky projekt vetëm forcon zbatimin në punësim, arsim dhe shërbime.
Së treti, familja nuk preket: nuk ndryshohet Kodi i Familjes, nuk preket gjendja civile, nuk riformulohet martesë dhe nuk futet asnjë “program ideologjik” në arsim. Bëhet fjalë për rregulla zbatimi: paga të barabarta për punë të njëjtë, shanse të barabarta, dinjitet në trajtim—me role të qarta për institucionet, median dhe sektorin privat.
Për Shkrimin e Shenjtë. Shën Pali thotë: “Nuk ka më mashkull as femër; të gjithë jeni një ne Shpetimitari” (Gal 3:28), “nënshtrojuni njëri-tjetrit” (Ef 5:21) dhe “as burri as gruaja s’kanë pushtet të vetëm mbi tjetrin” (1 Kor 7:4). Barazia mes burrit dhe gruas që mbron ligji është në një vijë me këtë urtësi biblike: plotesim pa shtypje.
Tani, për akuzuesin. Kur dikush përpiqet të kthejë një reformë ligjore në “luftë kulturash”, shpesh nuk mbron parime, por fsheh llogaridhënien. Retorika neo-konservatore e Z. Berisha për familjen dhe fenë kërkon të mbulojë pikërisht mungesën e përgjegjshmërisë publike: në vend që të flasim për të vërtetën dhe drejtësinë, na fton në një duel flamujsh. Por Shkrimi nuk i jep askujt imunitet moral për të shmangur dritën e llogaridhënies: “Dashuria gëzohet me të vërtetën” (1 Kor 13:6) dhe “mos merrni pjesë në veprat e errëta… por qortojini” (Ef 5:11). Të fshehësh pas parullave “familje” e “besim” ndërkohë që sulmon një ligj që mbron dinjitetin—kjo është të shkelësh mbi Shkrimin, jo ta nderosh.
*Fjala e mbajtur në seancën plenare

