Nga Erion Dasho-
Fantaksjet e konspiracionistëve të shekullit të XXI
Edhe një shkëndijë e vetme mjafton për të ndezur një zjarr. Njerëzimi e kishte harruar se qindra vjet të shkuar besohej se Toka ishte e sheshtë. U desh një shaka interneti, më saktë krijimi i një faqeje online ku pretendohej se Toka është e sheshtë që të riniste në shekullin e 21-të konspiracioni që ende vazhdon.
Në rastin e vaksinave ishte sërish një shkëndijë. Mjeku anglez Andrew Wakefield, kirurg i njohur, por pa asnjë lidhje me vaksinat dhe autizmin, duke analizuar një grup prej vetëm 12 fëmijësh, publikoi artikullin tashmë famëkeq që lidhte vaksinën MMR (fruth, shyta, rubeolë) me një sëmundje të zorrëve dhe me autizmin.
Që nga viti 1998, kur ky artikull u botua për herë të parë, janë botuar me qindra studime që provojnë jashtë çdo dyshimi se midis vaksinave dhe autizmit nuk ka asnjë lidhje, as nga ana statistikore dhe as nga ana biologjike.
Nëse mjeku anglez studioi vetëm 12 pacientë, studiuesit nga vendet nordike studiuan me miliona fëmijë, nisur edhe nga statistikat tepër të sakta që këto vende mbajnë prej dekadash. Nuk u gjet asnjë lidhje midis ndonjë vaksine dhe autizmit.
Ndërkohë është zbuluar tashmë se në 60 deri 90% të rasteve, autizmi shkaktohet nga shumë faktorë, ku ndërthurren faktorët gjenetikë dhe ata të zhvillimit të shtatzënisë.
Pas botimit të artikullit në fjalë dhe nisjes së lëvizjes anti-vax, shumë vende patën rënie të shkallës së vaksinimit. Nëse teoria e lidhjes së vaksinimit me autizmin do të ishte e saktë, shkalla e autizmit në këto vende do të ulej. Në fakt, asnjë ulje e tillë nuk u konstatua.
Nga ana tjetër, si pasojë e mosvaksinimit kundër fruthit, pati shpërthime të sëmundjes të pasuara nga vdekjet, shurdhime dhe ndërlikime të tjera shëndetësore.
***
Vaksina kundër COVID-19 u bë shënjestra e radhës e konspiracionistëve.
Disa gabime në politikën e vaksinimit që duhej të ishin shmangur, si p.sh., rekomandimi për të vaksinuar fëmijët, rigjallëruan lëvizjen anti-vax dhe i dhanë asaj një përmasë dhe vëmendje që nuk e kishte patur kurrë më parë.
Kësaj radhe, vaksinat u etiketuan si terapi gjenetike dhe “lidhja” e tyre u gjet me kancerin! Dhe duke qënë se kanceri njihet si sëmundje që zhvillohet tepër ngadalë, ka raste me dekada të tëra, u “shpik” termi “turbokancer”, një term i padëgjuar më parë dhe që nuk figuron në asnjë manual mjeksor.
Studime të veçanta që arrijnë të kalojnë filtrat e shkencës dhe etikës, pretendojnë se vende të caktuara janë duke përjetuar rritje të formave të caktuara të tumoreve dhe kjo lidhur me vaksinimin. Sërish, studime të tjera, shumë më të sakta, shumë më shkencore, nuk zbulojnë asnjë lidhje të tillë.
Ato që kemi mësuar deri më sot lidhur me tumoret (dhe që nuk është pak) nuk sugjeron ndonjë mekanizëm se si vaksinat mund të shkaktojnë kancer.
Edhe shifrat dhe statistikat janë kokëforte. Ndërsa me vaksinën anti-COVID u vaksinuan miliarda njerëz në gjithë botën, asnjë ndryshim nuk ka në incidencën e kancerit. Rastet e reja dhe vdekjet nga kanceri në shkallë globi dhe në vende të veçanta kanë mbetur në të njëjtat nivele si para pandemisë.
***
Kirurgu anglez që i dha jetë tërbimit anti-vax, u gjet më vonë se kishte manipuluar të dhënat dhe se synonte të përfitonte financiarisht nga “zbulimi” i bërë. Pas disa vitesh, atij madje edhe ju hoq e drejta e ushtrimit të profesionit, aq të rënda u gjykuan sjelljet e veta. Sot, ky ish-mjek fiton para duke bërë filma dhe organizuar tubime anti-vax.
Ndërkohë dëmi që teoritë e të fantaksurve anti-vax po shkaktojnë është i jashtëzakonshëm.
Vaksinat në shekullin e 20-të shpëtuan dhjetëra miliona jetë fëmijësh dhe e ndihmuan njerëzimin të fitonte luftën kundër sëmundjeve infektive.
Si të tilla, ato e kanë në fakt një “lidhje” me kancerin.
Duke mundësuar që njerëzit të jetojnë më gjatë, duke i lejuar atyre të arrijnë të tetëdhjetat dhe të nëntëdhjetat, sigurisht që në këtë moshë rreziku i shfaqjes së tumoreve është më i lartë.
Pra sot kemi më shumë tumore, sepse njerëzit po jetojnë më gjatë, për të arritur atë moshë, ku fatkeqësisht edhe tumoret janë më të shpeshta.
Dhe kjo në sajë edhe të vaksinave!
Prandaj, të nderuar ndjekës të faqes dhe lexues, sa më larg konspiracioneve dhe konspiracionistëve.
Mund t’i lexoni apo t’i shikoni ata, si një shaka, një satirë, madje edhe si një provë se fantazia njerëzore nuk ka kufi.
Qeshni dhe argëtohuni me ta si në një shfaqje humori!
Por mos bini pre e tyre!
Vaksinoni fëmijët!
Vaksinohuni vetë!
Mbroni shëndetin dhe jetën!

