𝗧ë 𝗸ë𝗻𝗱𝗼𝘀𝗵 𝗺𝗲 𝗣𝗼𝗹𝗶𝗻…

3 Minuta Lexim

Nga Dashnor Kokonozi-

Sigurisht, atë koncert të një viti më parë, do ta kujtoj gjatë.
Se u desh të vijë ajo natë që planetet të reshtohen në një konfiguracion të veçantë, linear për t’u gjendur përballë sir Paul MacCartney-n!
Eshtë e vërtetë që e ndiqnim prej vitesh, madje në ndonjë rast biletat për të na mbetën në dorë për shkak të Covid-19…
Mbrëmë së fundi, e kisha para syve të mi.
E shihja tek levizte, fliste e kendonte, por përsëri kishte diçka që nuk e integroja mirë në mendjen time. Shkurt e kisha të vështirë të bindesha se ai ishte aty. Se kisha para vetes dikë, këngët e të cilit (si i gjithë brezi im), kisha filluar t’i dëgjoj atëherë kur shmangnim ndonjë detyrim shkollor, dhe nxitonim të ngjeshnim veshin pas një Philipps-i të paraluftës.
Ishte si të ndodhesha para një personazhi mitologjik. Kishim filluar të besonim se ai nuk kishte një ekzistencë tokësore si tonën…
Do të desha të flas gjatë për harmoninë dhe ekuilibrin e programit të tij, për dyshimin se do të ndeshja veç në hijen e asaj që ruaja në kujtesë etj., por është e tepërt. Më saktë e kotë. Gjithçka ishte ashtu siç më qe fiksuar në kujtesë. Ai ruante forcen dhe sharmin e tij të pangatërrueshëm, të pabesueshëm, magjinë dhe monumentalitetin e një miti mijravjeçar!
Veç dy detaje më lejoni t’i përmend.
E para nuk kisha shpresuar ta dëgjoja prej tij, live, një këngë që më ka pëlqyer fort kur doli (dhe që e shihja se të tjerët nuk e ndjenin si kushedi se çfarë), “My Valenine.” Si një ninull e mrekullueshme per dashurine.
E dyta ishte se Paul-it i pëlqente që salla të këndonte me të. Linte kitarën varur në qafë dhe na drejtononte me duart e tij. “Ej, tani është radha e grave të këndojnë. Ashtu, bre!. Le të heshtin gratë, tani burrat. Bukur, tani së bashku…”
Një atmosferë psikedelike!
E pavërtetë edhe frika ime se mos ai donte të promovonte ndonje disk të fundit. Bashkë me Polin kënduam deri vonë këngë të një jete tjetër, aq familjare për ne: Michelle my belle, Let it be, Hey Jude, Ledy madona, Ob-la-di ob-la-da…
Cdonjëra, duke na kthyer pas në kohë e duke na shkaktuar një turbullim kadence të frymëmarrjes.
Çfarë energjie!
Për thuajse tre orë ai burrë nuk u ul as edhe një çast: sa te kitara te piano!
Kur dolëm afër mesntës, qielli ishte i kthjellët, ajri i ftohtë, por ajo natë ishte pafundësisht e bukur.
Një hyjni e muzikës, i veshur si gentleman anglez, kishte zbritur mes nesh, duke na i shndërruar në një ëndërr përjetësisht të paharrueshme orët që ndenji me ne…
(Këto foto i bërë si munda, se ndriçimi ishte disi i papërshtatshëm)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull